Roma gati të blindojë Dybala-n

- Bota Sot

Roma gati të blindojë Dybala-n

Roma po lëviz me hapa konkretë për të ‘blinduar’ një nga ‘yjet’ e saj më të rëndësishëm. Paulo Dybala, i cili ka kontratë deri në qershor 2026, pritet të marrë shumë shpejt propozimin për një rinovim trevjeçar, duke konfirmuar vullnetin e klubit dhe të vetë lojtarit për të vazhduar së bashku.

Sipas raportimeve të “Corriere dello Sport”, drejtuesit verdhekuq janë gati t’i ofrojnë argjentinasit një marrëveshje të re deri në verën e vitit 2029. Dybala është figura kryesore e projektit sportiv të Romës dhe, pavarësisht disa problemeve fizike përgjatë sezonit të kaluar, ai mbetet vendimtar në momentet e mëdha dhe një ikonë për tifozët.

Megjithatë, për firmën ka një kusht të rëndësishëm: sulmuesit 31-vjeçar do të duhet të pranojë një ulje të pagës, me klubin që kërkon të reduktojë rreth tetë milionë euro nga shpenzimet totale të kontratës në vitet e ardhshme.

Negociatat nuk kanë nisur ende zyrtarisht, por atmosfera është pozitive dhe besimi për të arritur marrëveshjen është i madh.

Roma e sheh Dybalën si gurin qendror të skuadrës në rrugën drejt objektivave afatgjatë. Nga ana tjetër, vetë “La Joya” ka shprehur shpesh dëshirën për të qëndruar në kryeqytetin italian dhe për të vazhduar misionin e tij në ‘Stadio Olimpico’.

Të dyja palët duken të vendosura që bashkëpunimi të zgjasë edhe tri vite të tjera, ndërsa tifozët presin me padurim konfirmimin zyrtar të lajmit.



Read it all at Bota Sot