Milani merr një lajm të madh para supersfidës së së dielës ndaj Romës, me trajnerin Massimiliano Allegri që ka rikuperuar Rafael Leao-n.
Sulmuesi portugez është kthyer në stërvitje të plotë me grupin dhe do të jetë gati të luajë nga minuta e parë, pasi ka kaluar plotësisht inflamacionin në ije.
Kuqezinjtë do të duhet të bëjnë sërish pa Christian Pulisic dhe Adrien Rabiot, të cilët Allegri shpreson t’i ketë në dispozicion për ndeshjen ndaj Parmës.
Nga ana tjetër, mungesa e Santiago Gimenez është pothuajse e sigurt, ashtu si edhe e Fikayo Tomori, me të dy lojtarët që kanë vijuar terapitë për problemet e tyre fizike.
Me rikthimin e Leao-s, bie ideja e një dysheje të pazakontë sulmuese Loftus-Cheek – Nkunku. Gjithsesi, si anglezi ashtu edhe francezi pritet ta nisin nga fillimi.
Për Nkunku, kjo do të jetë ndeshja e parë si titullar në Serinë A që nga mbërritja në Milano, ndërsa Loftus-Cheek do të zëvendësojë Ricci-n. Jashari dhe Estupiñan po stërviten plotësisht me ekipin dhe janë gati.
Sa i përket Pulisic dhe Rabiot, pavarësisht se po punojnë veçmas, objektivi është që ata të rikthehen më 8 nëntor.
Milani po punon gjithashtu me federatat përkatëse për t’i shmangur thirrjet në kombëtare gjatë pushimit të radhës, duke qenë se të dy vijnë pas periudhave të gjata dëmtimesh.
Në fakt, me SHBA-të ka një marrëveshje paraprake për Pulisic, ndërsa synohet bindja edhe e Francës për Rabiot.
Kuqezinjtë do të hyjnë në sfidë me moral të lartë, duke pasur sërish në dispozicion një nga ‘yjet’ kryesorë.
Allegri e di se ndaj Romës çdo detaj do të ketë rëndësi, dhe rikthimi i Leao-s është një armë e madhe për Milanin në garën për kreun.