Problemet për Liverpoolin duket se nuk kanë fund.
Pas një serie negative prej gjashtë humbjesh në shtatë ndeshjet e fundit, trajneri Arne Slot duhet të përballet me një tjetër lajm të keq: Jeremie Frimpong do të mungojë për rreth gjashtë javë për shkak të një dëmtimi të ri. Periudha e mungesës përfshin edhe sfidën e rëndësishme ndaj Real Madridit në Europë.
Kjo është hera e dytë që mbrojtësi i djathtë holandez detyrohet të ndalet për probleme fizike këtë sezon. Frimpong u transferua në verë nga Bayer Leverkusen për 40 milionë euro, me synimin për të zëvendësuar Trent Alexander-Arnold, por performanca e tij ka lënë shumë për të dëshiruar.
Trajneri Slot nuk është bindur nga paraqitjet e tij, sidomos në aspektin mbrojtës, dhe shpesh ka preferuar të aktivizojë Conor Bradley ose madje Dominik Szoboszlai, i përshtatur në atë rol.
Si rezultat, Frimpong ka luajtur vetëm 403 minuta deri tani: titullar në ndeshjet e kupës, ndërsa në Premier League ka qenë titullar vetëm një herë në gjashtë ndeshje, me gjithsej 24 minuta në pesë paraqitjet e tjera.
Zhgënjimi për Frimpongun i shtohet atij për blerjet e tjera të kushtueshme si Wirtz, Kerkez dhe veçanërisht Isak, të cilët nuk kanë arritur ende të justifikojnë investimin me gola apo paraqitje bindëse.
Situata komplikohet më tej nga dyshimet për portierin Mamardashvili dhe dëmtimi i rëndë i Leoni-t në fund të shtatorit.