Kylian Mbappé tha se synon “trofetë kolektivë” te Real Madridi pasi mori çmimin “Këpuca e Artë Evropiane 2024-25”.
31 golat e tij në kampionat sezonin e kaluar e bënë atë fitues përpara Mohamed Salah dhe Robert Lewandowskit, sipas një sistemi që favorizon ligat më konkurruese.
Mbappé ka nisur gjithashtu shkëlqyeshëm edhe sezonin aktual 2025-26, me 11 gola në 10 ndeshje të LaLigës dhe 5 gola në 3 ndeshje të Ligës së Kampionëve.
26-vjeçari fitoi Superkupën e UEFA-s dhe Kupën Ndërkontinentale të FIFA-s në sezonin e tij të parë me “Los Blancos”, por nuk arriti të fitojë asnjë trofe vendor.
Pas marrjes së çmimit, ai shprehu synimin për të fituar më shumë trofe me Real Madridin dhe për të lënë gjurmë në historinë e klubit.
“Është një moment i rëndësishëm për mua, hera e parë që e fitoj këtë çmim. Ka shumë kuptim për mua si sulmues,” tha Mbappé.
“Kemi një grup të jashtëzakonshëm. Shpresoj të fitojmë trofe të rëndësishëm këtë vit. Kjo është gjëja më e rëndësishme – të fitojmë trofetë kolektivë. Shpresoj të jem këtu për shumë vite dhe ta fitoj këtë çmim shumë herë të tjera. Shpresoj të vazhdojmë si ekip, sepse siç e them gjithmonë, ekipi është më i rëndësishmi. Pa këta lojtarë, është e pamundur të fitosh këto çmime, e di këtë. Dua të falënderoj klubin, mjekët, stafin që më ndihmojnë brenda dhe jashtë fushës. Shpresoj ta fitoj sërish vitin tjetër — e kam nisur mirë!”, përfundoi ai.