Protestë në Novi Sad: Përkujtim për viktimat dhe thirrje për drejtësi

- Bota Sot

Protestë në Novi Sad: Përkujtim për viktimat dhe thirrje për drejtësi

Në njëvjetorin e tragjedisë në Novi Sad, ku nga shembja e çatisë së stacionit hekurudhor të rinovuar humbën jetën 16 qytetarë, në qytet po zhvillohet një protestë e madhe kundër pushtetit të presidentit Aleksandar Vuçiq. Ndërkohë, Qeveria e Serbisë ka shpallur ditë zie kombëtare.

Mijëra studentë dhe qytetarë kanë marshuar për disa ditë për të mbërritur në Novi Sad, për të marrë pjesë në protestën e cila është paralajmëruar si tubim përkujtimor dhe manifestim paqësor në nderim të viktimave.

Sipas organizatorëve “Studentët në bllokadë”, studentët do të mblidhen në 16 lokacione të ndryshme në qytet dhe më pas do të bashkohen te Stacioni Hekurudhor, ku në ora 11:52 do të mbahet aksioni simbolik “16 minuta heshtje për viktimat”. Pas minutave të heshtjes do të vendosen kurora me lule dhe do të ketë fjalime nga studentët.

Gjatë ditës janë paraparë aktivitete kulturore, përfshirë një ekspozitë, shfaqje dokumentare dhe program përkujtimor që do të zgjasë deri në ora 20:00. Në qytet janë siguruar pika për ndihmë mjekësore, ndërsa qytetarët vendas kanë ofruar ushqim, ujë dhe pije freskuese për pjesëmarrësit.

Studentët që kanë marshuar për ditë të tëra, veçanërisht ata nga Novi Pazari që kanë ecur për dy javë, thonë se çdo hap i tyre është drejt një të ardhmeje më të mirë. Ata theksojnë se lufta e tyre për drejtësi nuk ndalet.

Protestat, të cilat fillimisht nisën si reagim ndaj mungesës së përgjegjësisë për tragjedinë, janë shndërruar në lëvizje qytetare masive që kërkon zgjedhje të parakohshme dhe reforma demokratike.

Qeveria serbe ka shpallur zyrtarisht ditën e sotme si Ditë Zie, në kujtim të viktimave. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka bërë thirrje qytetarëve që protestat të kalojnë në paqe dhe ka përsëritur thirrjen e tij për dialog kombëtar.

Shumica e protestave kanë qenë paqësore, megjithëse ka pasur disa incidente të shkaktuara nga mbështetës të presidentit Vuçiq. Policia ka arrestuar dhjetëra protestues, që ka shkaktuar pakënaqësi dhe dyshime të reja në lidhje me ligjshmërinë e procedurave. 

Për tragjedinë e 1 nëntorit 2024, qytetarët fajësojnë neglizhencën e qeverisë, korrupsionin e përhapur dhe marrëveshjet e dyshimta me kompani kineze të ndërtimit që morën pjesë në rinovimin e stacionit hekurudhor.

Sipas urdhrit të Prokurorisë për Krimin e Organizuar, hetimi aktual përfshin 15 persona, por deri më tani nuk është ngritur asnjë aktakuzë dhe procedurat gjyqësore ende nuk kanë filluar.

Duke vlerësuar këmbënguljen e studentëve dhe protestat që nuk janë ndalur për një vit, shumë qytetarë besojnë se ky është fillimi i ndryshimit politik në Serbi.

Ndërkohë, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, së bashku me ambasadat e 27 vendeve anëtare të BE-së, publikuan një deklaratë të përbashkët, duke theksuar se BE-ja vazhdon të monitorojë nga afër situatën politike në Serbi. Në deklaratë shprehen ngushëllime për familjet e viktimave dhe bëhet thirrje për një përvjetor të qetë dhe dinjitoz, në frymën e respektimit të lirive themelore dhe vlerave demokratike.



Read it all at Bota Sot