Letonia tërhiqet nga Konventa për Mbrojtjen e Grave

- Bota Sot

Letonia tërhiqet nga Konventa për Mbrojtjen e Grave

Parlamenti letonez votoi pro tërheqjes nga Konventa e Stambollit për Mbrojtjen e Grave nga Dhuna. Pas disa orësh debati parlamenti në Rigë votoi për tërheqjen e këtij shteti baltik që anëtar të BE-së dhe NATO-s nga konventa e Këshillit të Evropës.

A bie marrëveshja ndesh me vlerat tradicionale?

Kundërshtarët dhe kritikët e Konventës së Stambollit argumentojnë se ky traktat promovon një ideologji që minon vlerat tradicionale familjare në Letoni, kjo edhe sepse konventa inkurajon teoritë "gjinore". Këshilli i Evropës i ka hedhur poshtë vazhdimisht akuza të tilla në të kaluarën. Ligji për tërheqjen nga Konventa e Stambollit ende duhet të miratohet nga Presidenti Edgars Rinkevics. Letonia e ratifikoi Konventën e vitit 2011 për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, vitin e kaluar,  më 1 maj 2024.

Nëse miratohet edhe nga presidenti i vendit Letonia do të ishte shteti i parë në Bashkimin Evropian që do të tërhiqej nga traktati. Konventa e Stambollit e klasifikon dhunën ndaj grave si shkelje të të drejtave të njeriut. Ajo gjithashtu përcakton edhe masat politike dhe ligjore me anë të të cilave shtetet nënshkruese duhet të krijojnë një kornizë të njësuar në të gjithë Evropën për parandalimin, mbrojtjen e viktimave dhe ndjekjen penale.

Reagime për tërheqjen nga marrëveshja

Organizatat dhe institucionet për të drejtat e grave, që punojnë me viktimat e dhunës, kanë frikë se tërheqja nga konventa mund ta dobësojë mbrojtjen e grave dhe përpjekjet për të arritur barazinë gjinore.

Edhe Gjermania reagoi - megjithëse në mënyrë diplomatike - duke shprehur moskuptim ndaj vendimit letonez. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Gjermane, Kathrin Deschauer, bëri të qartë se Konventa e Stambollit ka "rëndësi të madhe" për qeverinë gjermane. Pyetjejes të Deutsche Welle-s drejtuar në Konferencën Federale për Shtyp në Berlin, se si e komenton këtë vendim të Letonisë, ajo ju përgjigj se përpara se të mbajë qëndrim publik, qeveria gjermane zakonisht i diskuton çështje të tilla fillimisht me partnerët e saj evropianë.

Turqia, vendi ku u miratua konventa, u tërhoq nga kjo marrëveshje në vitin 2021. / DW



Read it all at Bota Sot