Curri: Jemi gati të dëshmojmë kualitetin që kemi

- Bota Sot

Curri: Jemi gati të dëshmojmë kualitetin që kemi

Kryetrajneri i Gjilanit, Debatik Curri, është shfaqur në konferencë për media në prag të duelit kampional ndaj Prishtinës, derisa përballë gazetarëve ka theksuar se skuadra e tij ka potencialin të jetë e renditur më ndryshe se klasifikimi aktual.

Ndeshja luhet sot në orën 18.30 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Shefi i shtabit teknik potencoi se skuadra e tij ka kualitet për të treguar sa vlen dhe këtë gjë do ta bëj që nga ndeshja e radhës ndaj Prishtinës.

“Jemi të vetëdishëm për rëndësinë e ndeshjes. Jemi gati për këtë përballje dhe të dëshmojmë që kemi kualitetin e duhur për t’u ngritur”.

Disfata ndaj Dukagjinit?

“Pranuam gol të hershëm dhe kjo na i vështirësoi punët. Kundërshtari nuk bëri asgjë më shumë, përpos zhagitjes të tepruar të ndeshjes, gjë për të cilën nuk ishim të përgatitur. Duhet të marrim mësimet e duhura nga kjo përballje që mos të na përsëriten gjerat”.

Prishmëritë nga ndeshjet e para?

“Kur kam ardhur këtu, e kam theksuar edhe më parë që ekipi ka kualitet dhe potencial, prandaj kam besuar nga dita e parë. Kemi bërë paraqitje shumë të mira në dy ndeshjet e para, por ndeshja ndaj Dukagjinit na disbalancoi paksa. Jemi të gatshëm për tu rikthyer sërish në rrugën në të cilën e kemi nisur”.

Përballja me Prishtinën?

“Është e veçantë për mua, pasi që karrierën e kam nisur si futbollist, mandej kam qenë edhe trajner te Prishtina. Por, unë mendoj vetëm se si ta fitoj ndeshjen e sotme. Përballjet ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit gjithmonë kanë qenë interesante dhe atraktive për tifozët dhe këtë gjë e pres edhe në ndeshjen e nesërme”.

Objektivat?

“Nuk ndryshon asgjë ndeshja e sotme, çfarëdo qoftë epilogu i kësaj ndeshje. Ne jemi të vetëdishëm që kemi një rrugë të vështirë për ta ndjekur deri në fund dhe do të luftojmë në çdo ndeshje sikurse të jetë e fundit për të arritur te objektivi që ka vënë klubi”.



Read it all at Bota Sot