Ndeshja e parë e javës së 12-të solli përballjen mes dy skuadrave shqiptare, Arsimit nga Çegrani dhe Bashkimit nga Kumanova.
Skuadra vendase e Arsimit arriti një fitore të merituar me rezultat 4-2, duke vazhduar formën e mirë në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Arsimi dominoi që nga fillimi me lojë ofensive dhe shumë raste të krijuara. Alban Taipi hapi serinë e golave në minutën e 36-të, por Bashkimi barazoi shpejt me Resul Memetin. Megjithatë, para përfundimit të pjesës së parë, Muhjedin Dardhishta riktheu epërsinë 2-1.
Në pjesën e dytë vendasit vazhduan me ritëm të lartë. Shefit Shefiti realizoi dy herë, duke çuar rezultatin në 4-1 dhe duke e vulosur fitoren, ndërsa Avornio shënoi golin e dytë për Bashkimin në fundin e ndeshjes.
Pas kësaj fitoreje, Arsimi ka tani 15 pikë dhe në javën e ardhshme do të përballet me Struga Trim Lum, ndërsa Bashkimi është në pozitën e pestë me 19 çikë, dhe javën e tjetër do të luajë kundër Rabotniçkit në Shkup.