Momente paniku për mbrojtësin e Tottenham Hotspur dhe të Kombëtares italiane, Destiny Udogie, i cili është kërcënuar me pistoletë nga një agjent futbolli në Londër.
Sipas raportimeve të BBC Sport, incidenti ka ndodhur më 6 shtator, ndërsa klubi londinez ka konfirmuar ngjarjen dhe ka shprehur mbështetje të plotë për lojtarin e tyre.
Hetimet e para tregojnë se një tjetër person ka qenë gjithashtu viktimë e shantazhit dhe kërcënimit nga i njëjti individ gjatë të njëjtit episod. Për fat të mirë, nuk ka pasur persona të lënduar.
Policia Metropolitane e Londrës ka njoftuar se më 8 shtator është arrestuar një burrë 31-vjeçar, i akuzuar për posedim armësh zjarri me qëllim shantazhi dhe drejtim automjeti pa leje. Ai është liruar me kusht, ndërsa hetimet vijojnë.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në ambientin sportiv britanik, ndërsa Tottenham ka deklaruar se po bashkëpunon ngushtë me autoritetet për të garantuar sigurinë e Udogies dhe për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të rastit.