Në prag të sfidës së Champions League kundër Club Brugge, trajneri i Barcelonës Hansi Flick ishte shprehur me fjalë dashurie për klubin katalanas: “E dua këtë klub dhe këta lojtarë. Jam shumë i lumtur këtu, në këtë qytet. Do të jap më të mirën nga vetja.”
Por, sipas të përditshmes spanjolle ABC, pas këtyre deklaratave fshihet një pakënaqësi e thellë që mund ta çojë teknikun gjerman drejt një largimi të parakohshëm nga Katalonja në fund të sezonit.
Flick, i cili mori drejtimin e Barcelonës në verën e vitit 2024 pas largimit të Xavit, pati një vit debutues fantastik: fitoi La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës, duke u shpallur “trajneri i vitit”.
Megjithatë, sezoni i dytë ka qenë shumë më i vështirë. Barça renditet e dyta në kampionat, pesë pikë pas Real Madridit, ndërsa loja e ekipit është më pak bindëse.
Sipas burimeve të afërta me klubin, Flick u ka rrëfyer bashkëpunëtorëve të tij se po mendon të largohet në verën e vitit 2026, një vit para skadimit të kontratës.
Arsyeja kryesore nuk lidhet me rezultatet, por me një frustrim të thellë ndaj mënyrës së menaxhimit të klubit dhe sjelljes së disa lojtarëve, që ai i konsideron “pak profesionalë”.
Në qendër të polemikave është përmendur edhe Lamine Yamal, talenti i ri i Barcelonës. Flick nuk është i kënaqur me trajtim preferencial që klubi i rezervon 17-vjeçarit, veçanërisht pas Clásicos kur iu dhanë disa leje të veçanta. Gjermani nuk ka pëlqyer as disa sjellje të parrespektueshme të lojtarit ndaj stafit teknik.
I njohur për disiplinën dhe rigorozitetin e tij, të trashëguar nga përvoja te Bayern Munich dhe Kombëtarja e Gjermanisë, Hansi Flick ndien se është izoluar dhe i lodhur nga roli i përhershëm i “pajtimtarit” brenda skuadrës.