Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e parashtruar nga Blerim Krasniqi, kandidat për Asamble Komunale në Komunën e Drenas nga Nisma Socialdemokrate, paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), raporton KosovaPress.
Pasi PZAP kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e Blerim Krasniqit, ky i fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatë Supreme.
Ai pretendonte për parregullsi gjatë numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit ( QKN), për Zgjedhjet Lokale të datës 12 tetor 2025.
Gjykata Supreme e Kosovës, pas vlerësimit të vendimit të atakuar pretendimeve ankimore dhe atyre në përgjigje në ankesë, si dhe shqyrtimit shkresave tjera të lëndës, gjeti se ankesa është e pabazuar.