Deklaratat e Robert Lewandowskit në konferencën për shtyp kanë befasuar shumëkënd, por pas fjalëve të tij mund të fshihet më shumë sesa duket.
Pyetur për marrëdhënien dhe mendimin e tij për Lamine Yamal, yllin e ri të Barcelonës, sulmuesi polak u shpreh shkurt dhe prerë:
“Nuk kam folur me të prej kohësh dhe nuk dua të flas për të. Ka nevojë për qetësi. Unë flas vetëm për veten time.”
Në pamje të parë, fjalia tingëllon si një distancim i qëllimshëm, por shumë analistë në Spanjë e kanë interpretuar ndryshe, si një gjest mbrojtës ndaj një djaloshi 18-vjeçar që ndodhet nën një presion të jashtëzakonshëm.
Lewandowski, i njohur për përvojën dhe pjekurinë e tij, e di mirë se çfarë do të thotë të jesh në qendër të vëmendjes në një klub si Barcelona. Pikërisht në një moment kur Yamal po përballet me kritika për sjelljen jashtë fushe dhe me vërejtje nga trajneri Hansi Flick për mungesë përqendrimi, polaku duket se ka zgjedhur të mos ushqejë polemikat.
Më shumë se një qortim, heshtja e Lewandowskit mund të jetë një mesazh për mbrojtje, një mënyrë për t’i dhënë hapësirë dhe qetësi një talenti që ende po rritet, si fizikisht, ashtu edhe mendërisht.
Nga ana tjetër, Flick vazhdon të kërkojë disiplinë dhe ekuilibër brenda grupit, por është plotësisht i vetëdijshëm se e ardhmja e Barcelonës kalon nëpër këmbët e numrit 10.