Kombëtarja jonë ka dy ndeshje shumë të rëndësishme në datën 13 dhe 16 nëntor. Kuqezinjtë do të përballen fillimisht me Andorrën, ku do të synojnë një fitore për të provuar më pas shansin e saj për në Botëror, duke qenë se mund të sigurojë “Play Off”.
Në prag të këtyre dy takimeve, trajneri Silvinjo do të publikojë ditën e sotme listën me lojtarët e grumbulluar. Paraditen e sotme, trajneri i Kombëtares veç listës që do të bëjë publike, do të flasë edhe para mediave ku do të komentojë zgjedhjet e bëra si edhe do të flasë për dy sfidat e radhës.
LISTA- Ashtu si në ndeshjet e shkuara, edhe ndaj Andorrës e Anglisë nuk pritet që të ketë surpriza. Lista me shumë gjasa do të jetë standarde, me përjashtim të ndonjë lojtari që mund të jetë i dëmtuar dhe do të zëvendësohet. Sa i përket rikthimeve, Ismajli është 100% i gatshëm, ndërkohë që dyshime ka për gjendjen fizike të Kumbullës.
Nëse ky i fundit mungon, me shumë gjasa Cake do të jetë sërish pjesë e kuqezinjve ndërkohë që do të rikthehet me skuadrën edhe Pajaziti. Pjesa tjetër e skuadrës, do të jetë standarde si në të shkuarën. Sfida ndaj Andorrës do të luhet në datën 13 nëntor, duke nisur nga ora 20:45, teksa skuadra do të grumbullohet për këtë sfidë në Spanjë e pas ndeshjes do të rikthehet në Tiranë për takimin e 16 nëntorit. Me Anglinë luajmë në “Air Albania”.