Gjatë muajve të kaluara e ardhmja e Maks Vershtapenit ishte një nga temat më të nxehta në botën e Formulës 1.
Katër herë kampionit i botës u bë temë e spekulimeve për disa muaj, kohë gjatë së cilës Mercedesi shfaqi publikisht interesimin për ta pasur në skuadër.
Megjithatë, të gjitha këto zëra morën fund para Çmimit të Madh të Hungarisë, ku vetë Vershtapen konfirmoi se do të vazhdojë me Red Bullin edhe në vitin 2026.
“Për mua ka qenë gjithmonë e qartë që do të qëndroja gjithsesi”, deklaronte piloti holandez.
Edhe pse kontrata e tij me Red Bullinështë deri në vitin 2028, thuhet se përmban disa klauzola të lidhura me performancën, të cilat mund t’i aktivizojë për t’u larguar më herët nga ekipi.
Gazetari i njohur Erik van Haren, një nga njerëzit më të afërt me kampionin e botës, beson se Vershtapen mund të ndryshojë skuadër nëse Red Bulli nuk arrin të luftojë për vendet e para.
“Nëse në vitin 2026 makina nuk është mjaftueshëm e mirë, nëse nuk është konkurruese, atëherë pas dy ose tre garash do të fillojmë sërish me të njëjtat pyetje për të ardhmen e Vershtapenit”, tha ai në podcastin “The F1 Nation”. “Ende nuk është asgjë përfundimtare dhe Maksi ka kohë për të vendosur, por nëse Red Bulli nuk është konkurrues në 2026, mendoj se ka shumë gjasa që të largohet nga ekipi dhe të garojë diku tjetër në 2027-ën”, shtoi Erik van Haren