Ish-kryeministri i Ukrainës: Hungaria, kali i Trojës i Moskës brenda BE-së

- Bota Sot

Ish-kryeministri i Ukrainës: Hungaria, kali i Trojës i Moskës brenda BE-së

Kryetari i Forumit të Sigurisë në Kiev (KSF), ish-Kryeministri i Ukrainës (2014-2016) Arseniy Yatsenyuk e konsideron politikën e qeverisë aktuale hungareze jo thjesht anti-ukrainase, por kundër vetë BE-së dhe NATO-s.

“Ky është kali i Trojës i Moskës dhe Kinës brenda Bashkimit Evropian. Nëse BE-ja vazhdon të zvarritet siç po bën tani dhe nuk i përgjigjet Hungarisë, kjo mund të ketë pasoja dramatike për të gjithë BE-në.

Del që ti mund të marrësh para nga fondet evropiane, të përfitosh nga siguria e vendeve anëtare të NATO-s dhe të gjitha privilegjet evropiane, por njëkohësisht të punosh publikisht për armikun që është kundër NATO-s dhe kundër Bashkimit Evropian. Dhe nuk të ndodh asgjë. Kjo krijon incentiva për të tjerët: do të thotë që lejohet,” tha Yatsenyuk për Interfax-Ukrainë, ransmeton RTSH.

Kur u pyet nëse BE-ja do të marrë hapa institucionalë kundër kësaj, kreu i KSF-së përmendi zgjedhjet në Holandë si shembull shpresëdhënës: “ato tregojnë që forcat qendrore mund të fitojnë dhe të luftojnë kundër radikalëve.

“Për pyetjen nëse është 100% përgjegjësi e BE-së dhe NATO-s të zgjidhin problemin me Hungarinë, Yatsenyuk u përgjigj Po.

“Ka diskutime sikur ‘duhet të biem dakord, të bëjmë diçka për komunitetin hungarez’ etj… Unë mbështes të gjitha minoritetet kombëtare në Ukrainë, dhe gjithmonë e kemi bërë. Ukraina është vend evropian që respekton të drejtat e minoriteteve. Pra, nuk është çështje ndryshimi ligji – mund ta ndryshonim – por Orbán do të dilte me diçka të re, sepse ai është kanal i forcave anti-evropiane dhe radikale: kundër lirisë së fjalës, kundër luftës ndaj korrupsionit, kundër unitetit evropian,” tha ai, ndërsa shtoi se “do të shohim çfarë ndodh në zgjedhjet e 2026-ës në Hungari; nuk janë larg”, ransmeton RTSH.

Për pyetjen nëse BE-ja dhe NATO-ja mund të sigurojnë aktualisht garanci afatgjatë për siguri, rritje ekonomike dhe unitet të BE-së, Yatsenyuk u përgjigj: Jo-.

“Duhet të bëjnë reforma të brendshme, së pari brenda Bashkimit Evropian. Reforma në procedurat e vendimmarrjes, në ndëshkimin e atyre që nuk zbatojnë vendimet e përbashkëta. Nevojiten reforma për rolin dhe pozicionin e Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian ndaj qeverive dhe parlamenteve kombëtare. Mendoj që BE-ja duhet të shkojë drejt rrugës së Shteteve të Bashkuara të Evropës – duke zhvendosur më shumë funksione në qendër. Tani lëvizja e funksioneve po shkon në drejtim të kundërt – drejt qeverive kombëtare. Dhe ky është mesazhi kryesor politik i njerëzve si Orbán: marrin para nga BE-ja, por kritikojnë Komisionin Evropian që ua jep ato para,” tha ai.

Sipas Yatsenyuk, struktura e vendimmarrjes në NATO duhet të bëjë që SHBA-të të varen nga BE-ja, ashtu si BE-ja varet sot nga SHBA-të, “dhe vetëm atëherë do të duan njëri-tjetrin përgjithmonë.”

“Nuk besoj që BE-ja mund të jetë autonome nga SHBA-të, e them publikisht. Jo për të fyer aleatët tanë evropianë – thjesht është realiteti i sotëm; kështu ka evoluar struktura transatlantike e sigurisë pas Luftës së Dytë Botërore,” përfundoi kreu i Forumit të Sigurisë në Kiev.



Read it all at Bota Sot