Bellaj shpjegon fitoren ndaj Tiranës

- Bota Sot

Bellaj shpjegon fitoren ndaj Tiranës

Trajneri i Vorës, Arjan Bellaj, ka përgëzuar skuadrën e tij për suksesin 2-0 ndaj Tiranës, teksa ua ka dhënë meritën lojtarëve që kishin zbatuar gjithçka me përpikëri.

“Sa i përket pjesës së parë, u futëm mirë, më pëlqeu se si ishim përgatitur, i bëmë të gjitha. Në anën mbrojtëse, me rotacione na dilnin bosh disa herë dhe i rregulluam me Kasallën e Barjamajn.

Në pjesën e dytë kërkuam të mbajmë topin se ekipi kundërshtar ishte në humbje  dhe u ngjit lart. U përpoqëm me kundërsulme, dolëm disa herë, nuk ia dolën të shënonin por e rëndësishme është që nuk pësuam gol.

Ua them futbollistëve që unë nuk kam flokë, kur shoh veten në pasqyrë, nuk shoh vetën, por ata, se ata janë pasqyrimi ynë, atë që lëmë mbrapa.

Duke ditur anën mbrojtëse dhe si luajnë topin u përpoqëm të linim topin aty ku kanë pikën e dobët, deshëm t’i bënim të luanin topin e gjatë, se Repajn e Shehin e kemi të pakalueshëm në ajër.

Në futboll topat e kthyer të mbajnë në lojë. E fituam shpesh në gjysmëfushën e Tiranës.

Jemi edhe të ngarkuar shumë, pothuajse jo të gjithë kanë bërë stërvitje, se janë ndeshje të vazhdueshme dhe janë të njëjtët futbollistë dhe janë të ngarkuar. Ajodelen dua ta përgëzoj se është ndeshja e dytë apo e treta, i kërkova maksimumin. Nga ndeshja në ndeshje do jetë më i mirë.

Nuhiu është trajner i ri, nuk ia dimë të gjitha skemat që luan. Atë që pamë edhe në ndeshjen me Bylisin, u bazuam te ajo. Kur ndryshoi skema nuk ishim të përgatitur dhe u desh të flisja që të udhëzoja lojtarët. Kaloi koha dhe pastaj morëm pak frymë duke qarkulluar topin dhe duke kthyer pak Tiranën në gjysmëfushën e vet.

Kur ka pushim për kombëtaret, një fitore është gjëja më e mirë për një trajner dhe futbollistët. Kjo fitore na jep qetësi se na jep dy javë që të çlodhemi se jemi shumë të ngarkuar por edhe të bëhemi gati për ndeshjen tjetër për Teutën”, tha Bellaj për RTSH pas ndeshjes.



Read it all at Bota Sot