Njerëzit e parë përdorën mjete qindra-mijëra vjet më herët sesa mendohej

- Bota Sot

Njerëzit e parë përdorën mjete qindra-mijëra vjet më herët sesa mendohej

Njerëzit e parë në Tokë miliona vjet më parë përdorën mjete shumë më herët sesa mendohej, sipas zbulimit të mjeteve prej guri në Keninë veriperëndimore.

Studiuesit kanë zbuluar se njerëzit primitivë 2.75 milionë vjet më parë në vendin arkeologjik Namorotukunan përdorën vazhdimisht mjete prej guri për 300 mijë vjet rresht, raporton KosovaPress.

Provat e mëparshme kanë sugjeruar se format më të hershme të përdorimit të mjeteve ishin jetëshkurtra.

Zbulimi i Namorotukunan është i pari që sugjeron se teknologjia u transmetua gjatë mijëra brezave, transmeton KosovaPress.

Autori kryesor i studimit, David Braun pranë Universitetit George Washington në Uashington, tha se zbulimi i botuar në revistën Nature Communications, ofron prova të forta që ndryshojnë rrënjësisht kuptimin mbi evolucionin njerëzor.

"Mendonim se përdorimi i veglave mund të ketë qenë i përkohshëm, por kur sheh të njëjtat modele sjelljeje të përsëritura për 300.000 vjet, kjo thjesht nuk është e mundur. Kjo sjellje ishte e vazhdueshme. Njerëzit dhe paraardhësit e tyre ndoshta filluan të përdorin vegla shumë më herët dhe i përdornin ato për më gjatë sesa mendonim më parë", tha Braun.

Arkeologët për dhjetë vjet në Namorotukunanu zbuluan 1.300 pllaka të mprehta guri, çekiçë guri dhe gurë të punuar që u mblodhën nga shtrati i lumit.

Të gjitha veglat e zbuluara u bënë duke përdorur një teknologji të njohur si Oldowan. Ajo u emërua sipas vendit në Grykën e Oldowan në Tanzaninë veriore.

Kjo është metoda e parë dhe më e vjetër e njohur gjerësisht për të bërë vegla guri në histori. Të njëjtat lloje veglash u gjetën në tri shtresa të ndryshme toke dhe sa më e thellë shtresa, aq më e vjetër periudha nga e cila ato erdhën.

"Çdo gur u zgjodh me shumë kujdes për cilësinë e tij, gjë që tregon se prodhuesit e tyre ishin jashtëzakonisht të aftë dhe dinin saktë se çfarë kërkonin", tha një nga anëtarët e ekipit të kërkimit Dan Palcu Rolier nga Universiteti Sao Paulo.

"Ajo që shohim këtu është një nivel i jashtëzakonshëm sofistikimi në mjeshtëri. Këta njerëz ishin gjeologë shumë të mprehtë. Ata dinin saktësisht se ku dhe si të gjenin materialin më të mirë, kështu që disa nga mjetet mund të gjenden ende sot", tha ai për BBC.

Këto zbulime vënë në pikëpyetje njohuritë e mëparshme shkencore mbi evolucionin njerëzor. Zona ishte e banuar nga njerëz të hershëm me tru relativisht të vogël 2.75 milionë vjet më parë, dhe besohet se kanë jetuar së bashku me paraardhësit e tyre me dhëmbë më të mëdhenj - australopitekët.

Shkencëtarët më parë kanë besuar se përdorimi i vazhdueshëm i mjeteve u shfaq shumë 2.4 deri në 2.2 milion vjet më parë, kur njerëzit kishin zhvilluar tashmë tru relativisht më të madh.

Braun thotë se hulumtimi sugjeron që njerëzit e hershëm ishin inovatorë shumë më herët sesa besohej, dhe se mbijetesa e tyre nuk ishte vetëm për shkak të evolucionit biologjik, por edhe teknologjisë që përdorën.

"Ne kemi nënvlerësuar paraardhësit tanë të hershëm njerëzorë. Sot, ne mund të gjurmojmë rrënjët e përshtatshmërisë sonë ndaj ndryshimit me ndihmën e teknologjisë shumë më herët sesa mendonim - deri në 2.75 milionë vjet më parë, dhe ndoshta edhe më herët", tha Braun.



Read it all at Bota Sot