Dy ndeshjet e fundit, kundër Veronës dhe Kairat Almatit, kanë treguar se Interi i Kristian Kivut ende vuan nga plagët e vjetra: rënia e përqendrimit pas avantazhit dhe nënvlerësimi i kundërshtarëve të dobët. Në “Bentegodi”, zikaltrit dominuan pjesën e parë, por u tërhoqën pas golit të parë, duke rrezikuar një barazim që do t’i kishte kushtuar shtrenjtë.
Në Europë, ndaj Kairatit, ekipi shfaqi të njëjtin sindrom – mungesë tensioni dhe ritëm të ulët, me disa lojtarë që pranuan hapur se e kishin marrë ndeshjen lehtë. Federiko Dimarko dhe Karlos Augusto folën për “mungesë përqendrimi”, një autokritikë që Kivu e mori shumë seriozisht. Sipas burimeve pranë skuadrës, trajneri ka folur ashpër në dhomën e zhveshjes: “Jemi Inter, dhe Inter nuk e fiton asnjë ndeshje vetëm me emrin. Duhet punë dhe respekt për çdo kundërshtar.”
Në horizont e pret një seri vendimtare: Lacio, më pas derbi me Milanin, dhe përfundimisht sfida e Champions me Atletiko Madrid. Tre prova që do tregojnë nëse ky Inter mund të kapërcejë dobësitë e së kaluarës. Në sezonin e kaluar, me Simone Inzagin, ekipi shpesh rrëshqiste pikërisht në këto ndeshje “të lehta”, duke humbur terren në garën për titull. Tani Kivu duhet të tregojë se di ta ndalë këtë rreth vicioz dhe të ndërtojë një mentalitet të ri, më të fortë dhe më konstant.
Për momentin, sinjalet janë të përziera: cilësia ekziston, por mungon vazhdimësia. Vetëm rezultatet e ardhshme do tregojnë nëse Interi i ri është gati të dalë nga hija e së shkuarës. Ndal Lacios të dielën në mbrëmje Interi i rumunit pritet të ketë një tjetër test shumë delikat, me bardhekaltrit që ishin skuadra që i largoi titullin zikaltërve një sezon më parç, pas atij barazimi 2-2 në “San Siro” pas golit të Pedros. Një Inter që do të kërkojë fitoren e tretë radhazi mes Championsit e kampionatit, por mbi të gjitha do duhet të përmirësojë ndjeshëm nivelin e performances së lojtarëve të shprehur në fushë, sidomos në ndeshjet e fundit.