Drejtuesit të irrituar, lojtarët zihen mes tyre

- Bota Sot

Drejtuesit të irrituar, lojtarët zihen mes tyre

Pas disfatës së rëndë ndaj Manchester City-t në Champions League, për Borussia Dortmund-in erdhi një tjetër zhgënjim i madh.

Në minutën e shtatë të kohës shtesë, verdhezinjtë panë t’u ikte nga duart ajo që dukej si një fitore e sigurt kundër Hamburgut, duke u detyruar të pranonin barazimin 1-1.

Por pas ndeshjes shpërtheu kaosi: sipas asaj që raporton gazeta gjermane ‘Sport BILD’, drejtuesit e klubit u përplasën ashpër me ‘yjet’ e skuadrës, ndërsa lojtarët debatuan mes tyre.

Aktualisht, Borussia Dortmund renditet në vendin e tretë të Bundesligës, por situata mbetet delikate. Drejtori sportiv, Sebastian Kehl, zakonisht shumë i matur, humbi durimin pas barazimit me Hamburgun: “Jam vërtet i zemëruar dhe do të marr disa ditë për t’u qetësuar.” Edhe trajneri Niko Kovac ndau të njëjtin qëndrim: “Jemi të zemëruar dhe të zhgënjyer. Në fund nuk bëmë atë që prisja. E përsëris gjithmonë: pa goditje këndi, pa goditje dënimi, pa krosime dhe nuk do të ketë probleme.”

Më pas, gjatë rrugës drejt tunelit, portieri Gregor Kobel dhe mbrojtësi Julian Ryerson u përfshinë në një debat të ashpër për golin e pësuar. Kovac ndërhyri për të qetësuar situatën:

“Nuk e kisha plotësisht të qartë kush tha çfarë, thjesht doja të ndaloja konfliktin.” Gjithsesi, tensioni ishte i dukshëm edhe gjatë ndeshjes, kur trajneri 54-vjeçar ishte irrituar me Karim Adeyemin para zëvendësimit të tij në minutën e 66-të.

Lojtarët janë sërish në shënjestër për mënyrën se si ekipi pëson gola në fund të ndeshjeve, fenomen i përsëritur këtë sezon ndaj Bayern-it, Juventusit dhe St. Pauli-t.

Ndërkohë, sipas ‘Sport BILD’, edhe vetë Kovac është kritikuar për stilin e tij “të ngurtë dhe të mbyllur” të lojës, si dhe për menaxhimin e zëvendësimeve.



Read it all at Bota Sot