Spalletti i mahnitur me Zhegrovën, planifikon sistem të ri për të

- Bota Sot

Spalletti i mahnitur me Zhegrovën, planifikon sistem të ri për të

Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, duket se është gjithnjë e më shumë i mahnitur nga talenti i yllit të Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova.

Sipas mediave italiane, Spalletti është impresionuar nga paraqitja e fundit e Zhegrovës, në derbin ndaj Torinos, ku futbollisti kosovar u aktivizua nga banka e rezervistëve.

Për vetëm 25 minuta lojë, Zhegrova krijoi katër raste të rrezikshme dhe ishte i papërmbajtshëm për mbrojtjen kundërshtare.

Kjo paraqitje ka bërë që trajneri i “Zonjës së Vjetër” të mendojë për një modul të ri loje, që do t’i përshtatej më shumë stilit sulmues dhe kreativitetit të Zhegrovës.

Thuhet se Spalletti po shqyrton mundësinë e kalimit në formacionin 4-3-3 ose 4-2-3-1, për t’i dhënë më shumë liri lojtarit kosovar në krahët e sulmit.

26-vjeçari, i cili këtë verë u transferua nga Lille te Juventusi, ka zhvilluar deri tani pesë ndeshje, tri në Serie A dhe dy në Ligën e Kampionëve.

Megjithëse ende nuk është në formën e tij më të mirë fizike, Zhegrova po fiton gjithnjë e më shumë besimin e trajnerit italian.



Read it all at Bota Sot