Deklaratat e Antonio Kontes pas disfatës së Napolit në kampionat, kanë bërë xhiron e rrjetit dhe janë interpretuar si sinjale largimi të teknikut nga kampionët në fuqi të Italisë. Në rrjet janë shpërndarë edhe lajme se ai po mendon dorëheqjen pasi nuk e sheh veten në gjendje të përsëritë atë që bëri një vit më parë.
Por presidenti i kampionëve të Italisë, Aurelio De Laurentis, nëpërmjet një reagimi në rrjete sociale, ka shuar gjithçka para se të shtohej tymnaja e thashethemeve.
“Lexova në rrjet fabulën për dorëheqjen e Kontes. I dashuroj rrjetet sociale sepse është një mënyrë bashkëkohore dhe e shpejtë për të shprehur mendimet. Por e dini që mendimet nuk janë gjithmonë të drejta ose që ndahen nga të tjerët.
Unë dhe Konte kemi pasur gjithmonë një lidhje të veçantë, një lidhje që bashkon burrat që përdorin 3 “C”-të… të cilat napolitanët dhe të tjerët i duan.
Tifozëve që kanë lexuar disa budallallëqe, u them: Jam krenar që kam përkrah meje, dhe përkrah Napolit dhe lojtarëve, një njeri të vërtetë si Antonio Konte, i aftë të sakrifikojë çdo sekondë të jetës së tij për profesionin e tij, me bujari dhe përkushtim ekstrem.
Kjo është garancia më e rëndësishme që mund t’i jepet sot një klubi, lojtarëve dhe tifozëve kërkues si atyre të Napolit”, shkruante presidenti i klubit italian, duke i vënë kapak diskutimeve… të paktën për momentin.