Lajme të mira për Kosovën. Benxhamin Sheshko, sulmuesi i Sllovenisë, do të humbasë takimin e kësaj jave ndaj “Dardanëve” për shkak të dëmtimit që ka pësuar në ndeshjen e fundit me Mançester Junajtid.
Lojtari nuk u paraqit sot në grumbullimin me Slloveninë, pasi po kryente testet mjekësore në Mançester për dëmtimin e të shtunës në barazimin 2-2 ndaj Totenhemit, ku ai qëndroi vetëm pak minuta në fushën e lojës. Sipas klubit, lojtari ka shmangur probleme të rënda, por po monitorohet për këtë dëmtim që gjithsesi e lë jashtë grumbullimit me Slloveninë.
Junajtid gjithashtu bëri të ditur se lojtari nuk do i bashkohej ekipit përfaqësues, gjë që padyshim do të acarojë më shumë marrëdhënien me trajnerin e Sllovenisë, Matjazh Kek, i cili kishte kërkuar që vendit të tij t’i tregohej “më shumë respekt”.
“Me respektin më të madh ndaj një klubi si Mançester Junajtid, ne nuk kemi marrë ende asgjë në mënyrë zyrtare, asnjë dokument, asgjë. Do të dëshironim t’i kishim, do të dëshironim që edhe stafi ynë mjekësor t’i shikonte. Mjeku ynë është një ekspert, nuk është se kemi një të panjohur në këtë pozicion.
Ne nuk kemi dërguar kurrë askënd në fushë nëse ka pasur rrezikun më të vogël. Megjithatë, ekipi kombëtar është diçka shumë e veçantë dhe pres respekt maksimal nga të gjithë. Sllovenia e meriton këtë, edhe nëse në anën tjetër ka një fuqi si Anglia dhe diçka aq të jashtëzakonshme sa Premier Liga. Në fund të fundit, ka kaluar mjaft kohë që kur Anglia ka mundur Slloveninë për herë të fundit dhe kjo në vetvete thotë diçka për ne”, tha Kek para mediave.
Më vonë, gjatë pasdites, u bë e ditur se dokumentet e Mançester Junajtid kishin përfunduar në kampin e Sllovenisë.