Pas seancës stërvitore të së hënës, Kombëtarja e Kosovës do të vazhdojë përgatitjet edhe sot (e martë) nga ora 11:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e fundit dhe vendimtare të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada e Meksikë.
Në stërvitjen e parë të mbajtur një ditë më parë, nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda, morën pjesë dhjetë futbollistë: Visar Bekaj, Faton Maloku, Ilir Krasniqi, Leard Sadriu, Mërgim Vojvoda, Veldin Hoxha, Valon Berisha, Milot Rashica, Edon Zhegrova dhe Fisnik Asllani.
Ndërkohë, pjesa tjetër e lojtarëve të ftuar nga Foda zhvilloi rigjenerim në palestër në hotel, pas angazhimeve me klubet e tyre gjatë fundjavës.
Dardanët do të përballen të shtunën në Lubjanë me Slloveninë, ndërsa ciklin kualifikues do ta mbyllin të martën e ardhshme me ndeshjen ndaj Zvicrës në “Fadil Vokrri”.
Pas shtatë ndeshjeve të luajtura, Kosova renditet e dyta në grup me shtatë pikë, tri më pak se Zvicra lidere. Sllovenia ndodhet e treta me tri pikë, ndërsa Suedia është e fundit me një pikë.
Vendi i parë i grupit siguron kualifikimin direkt në Botëror, ndërsa skuadra e vendit të dytë do të ketë mundësinë të garojë në fazën e ‘play-off’-it. Për të siguruar këtë fazë, Kosovës i mjafton një pikë, megjithëse ekzistojnë ende gjasa edhe për kualifikim të drejtpërdrejtë, gjithçka do të vendoset në dy ndeshjet e fundit të grupit.