Aktivitetet futbollistike të kategorive kryesore në vend janë ndërprerë këtë fundjavë, për shkak të angazhimeve të ekipeve kombëtare, ku vëmendja kryesore është e përqendruar te Kombëtarja A, që synon sigurimin e “play off”-it të Kupës së Botës.
Kjo pauzë është një mundësi e mirë për skuadrat që të rikuperojnë nga lodhja, të korrigjojnë mangësitë e shfaqura gjatë ndeshjeve të fundit, por edhe të rikthejnë në formë lojtarët e dëmtuar.
Pas përfundimit të ndeshjeve të kombëtareve, futbolli vendor do të rifillojë me turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, ku do të marrin pjesë dy skuadra të Kategorisë Superiore, Flamurtari dhe Vora, të cilat këtë sezon janë ngjitur nga Kategoria e Parë, si dhe 12 klube të Kategorisë së Parë dhe dy ekipe të Kategorisë së Dytë, Sopoti dhe Tomori.
Sipas shortit të hedhur më herët, Kupa e Shqipërisë e ka të përcaktuar kalendarin deri në fazën e 1/8-ave, ku në garë do të hyjnë edhe tetë klubet e Superiores.
Ndeshjet e turit të dytë do të zhvillohen të mërkurën, më 19 nëntor, në orën 13:00, dhe siç parashikon rregullorja, kualifikimi vendoset me ndeshje teke për tre turet e para.
Çiftet e turit të dytë dhe sfidat kryesore
Ky tur ofron disa përballje interesante, kryesisht mes ekipeve të Kategorisë së Parë, ndërsa për disa klube ky kompeticion shihet më shumë si angazhim dytësor, pasi objektivat kryesorë i kanë në kampionat.
Skënderbeu – Iliria: Korçarët do të kërkojnë kalimin pa probleme përballë një skuadre që ka bërë mirë në kampionat.
Laçi – Luftëtari: Kurbinasit janë favoritë të qartë ndaj gjirokastritëve që luftojnë për mbijetesë.
Vora – Sopoti: Për vorakët kjo ndeshje shihet si një test stërvitor para rifillimit të kampionatit.
Flamurtari – Tomori: Kuqezinjtë e Vlorës pritet të mos hasin vështirësi ndaj beratasve, të cilët u kualifikuan pa luajtur, pas tërheqjes së Valbonës nga aktiviteti.
Besa – Kukësi: Një duel që i ngjan më shumë një ndeshjeje kontrolli, ndonëse kavajasit duan kalimin e turit për prestigj. Verilindorët në kohë të arta luftonin për trofeun e Kupës, ndërsa tani janë degdisur te mbijetesa në Kategorinë e Parë, ku edhe janë të fundit.
Ad
This Could Be the Best Time to Trade Gold in 5 YearsIC Markets
Gold Is Surging in 2025 — Smart Traders Are Already InIC Markets
Burreli – Kastrioti: Dy skuadra të njohura të Kategorisë së Parë që do të masin forcat për moralin e garës.
Pogradeci – Korabi: Një sfidë e balancuar mes dy ekipeve që po kërkojnë konsolidim në kampionat.
Apolonia – Lushnja: Derbi i Myzeqesë, një nga përballjet më të veçanta të këtij turi. Fierakët e mundën Lushnjën në fazën e parë të kampionatit dhe kërkojnë ta përsërisin suksesin edhe në Kupë.
Skema- Sipas skemës së garës, skuadrat që kualifikohen nga ky tur, në raundin e ardhshëm do të luajnë në transfertë, përballë kundërshtarëve që vijnë nga Kategoria Superiore. Kështu, pas pushimit ndërkombëtar, Kupa e Shqipërisë pritet të rikthejë rivalitetin dhe emocionet, duke shërbyer si një test i vlefshëm për shumë ekipe në prag të rifillimit të kampionateve përkatëse.
16 trofe
të Kupës së Shqipërisë ka fituar Tirana përgjatë 74 edicioneve të luajtura më herët, duke qenë edhe rekordmenia e kompeticionait. Pas bardhebluve vjen Partizani me 15 Kupa dhe pason Dinamo me 14