Planifikonte atentat ndaj Merkelit dhe Scholz, arrestohet 49-vjeçari në Gjermani, ja çfarë organizate kriminale kishte krijuar me “darknet”

- Bota Sot

Planifikonte atentat ndaj Merkelit dhe Scholz, arrestohet 49-vjeçari në Gjermani, ja çfarë organizate kriminale kishte krijuar me “darknet”

Prokuroria Federale në Gjermani njoftoi arrestimin e një burri, që dyshohet se i përket organizatës “Qytetarët e Rajhut” dhe planifikonte atentate ndaj politikanëve, sipas informacioneve të ARD, SWR, n-tv dhe Der Spiegel. Ndër ta ish-kancelarët Olaf Scholz dhe Angela Merkel.

Sipas dy rrjeteve publike gjermane, 49-vjeçari, i arrestuar mbrëmjen e së hënës në Dortmund, përpiqej kohët e fundit të organizonte sulme përmes “darknet-it”. Në faqen e internetit që kishte krijuar, me emrin “Politika e Vrasjeve”, i dyshuari shpjegonte planin e tij.

Fillimisht, ithtarët e tij duhej të dhuronin para në kriptomonedha, si “shpërblim për kapje”, për profesionistë që më pas do të merrnin përsipër vrasjen e politikanëve “kundërshtarë”. Autoritetet e trajtojnë çështjen si “plan financimi kriminal të terrorizmit” dhe për këtë përgjegjësinë e ka marrë prokurori i përgjithshëm federal Jens Rommel.

Siç transmeton ARD, i arrestuari njihej nga autoritetet që nga viti 2020, kur si anëtar i Qytetarëve të Rajhut, organizatë që nuk e njeh shtetin gjerman, mori pjesë në protesta kundër masave kufizuese të pandemisë, dhe aktivitetet e tij të fundit në darknet u zbuluan nga Shërbimi Federal për Mbrojtjen e Kushtetutës.

Martin Sh., raporton rrjeti privat n-tv, është gjermano-polak dhe kishte publikuar në faqen e tij “dënime me vdekje” që vetë i kishte shqiptuar, informacione për “të dhëna personale sensitive” të viktimave të mundshme, si dhe udhëzime për ndërtimin e eksplozivëve, ndërsa sipas Spiegel, lista e “të dënuarve me vdekje” përfshinte më shumë se 20 emra politikanësh, ndër ta ish-kancelarët Olaf Scholz dhe Angela Merkel, si dhe ish-ministra federalë.

Siç thekson revista, termi Assassination Politics i referohet tekstit të aktivistit radikal amerikan antiqeveritar Jim Bell, i cili në vitet ’90 argumentonte në favor të një tregu hipotetik online përmes të cilit mund të financoheshin anonimish vrasje të zyrtarëve qeveritarë të korruptuar.



Read it all at Bota Sot