Pas 20 ditësh burgim, të cilat më herët i kishte cilësuar “rraskapitëse” dhe “makth”, ish-presidenti francez u lirua dje nga burgu La Sante në Paris.
“Ligji është zbatuar. Tani do të përgatitem për apelimin. Energjia ime përqendrohet ekskluzivisht në provimin e pafajësisë sime. E vërteta do të triumfojë”, shkroi në rrjetet sociale pas lirimit.
Sarkozy u burgos më 21 tetor, pasi një gjykatë në Paris i dha dënim me pesë vjet burg për bashkëpunim kriminal lidhur me financimin e fushatës së tij zgjedhore të 2007-s nga regjimi i Gadafit.
Ai mohon çdo shkelje dhe ka bërë apel kundër vendimit, që do të gjykohet pranverën e ardhshme. Gjykatësit vendosën muajin e kaluar se, për shkak të “rëndësisë së jashtëzakonshme” të dënimit, ai duhet të qëndrojë në burg derisa zhvillohet procesi i apeleve.
Sipas burimeve lokale, Sarkozy dje në mëngjes dëshmoi përmes videokonference para komisionit që shqyrtoi kërkesën për lirimin e tij.
“Dua t’i bëj homazh të gjithë stafit të burgut, që është jashtëzakonisht njerëzor dhe e bëri këtë makth të durueshëm, sepse është makth”.
“Kurrë nuk kam pasur as idenë, as qëllimin të kërkoj nga Gadafi ndonjë lloj financimi. Kurrë nuk do të pranoj diçka që nuk e kam bërë. Kurrë nuk e imagjinova se në moshën 70 vjeç do të isha në burg. Është një sprovë që më është imponuar. Pranoj se është shumë e vështirë. Lë shenjën te çdo i burgosur sepse është rraskapitëse”.
Sarkozy qëndronte në një qeli 9 m², hante kryesisht kos sepse kishte frikë se çfarë mund t’i futeshin në ushqim dhe kishte dëgjuar bashkëvuajtës t’i drejtonin kërcënime me vdekje. Në qelinë ngjitur qëndronin gjithmonë dy roje për sigurinë e tij.