Tre futbollistë të rinj nga Shkupi kanë qëndruar për disa ditë në Stamboll, në kampin e klubit të madh turk Besiktas JK, ku kanë marrë pjesë në një periudhë provuese me grupmoshat përkatëse të akademisë bardhezi.
Junus Emre Hirda dhe Tibijajn Ramiz nga Beshiktash Çair (gjenerata 2016), si dhe Ersen Suliman nga KF Shkupi (gjenerata 2012), kanë zhvilluar stërvitje dhe testime nën vëzhgimin e trajnerëve të Beshiktashit.
Sipas trajnerit Sherafidin Suliman-Sherki, që i ka shoqëruar gjatë qëndrimit, klubi turk ka shprehur pëlqim të madh për tre lojtarët shqiptarë dhe është arritur një marrëveshje bashkëpunimi me akademinë e Beshiktashit.
“Kemi bërë marrëveshje me klubin e Beshiktashit që të gjithë talentet tona të kenë mundësinë të provohen atje. Ata do të na ndihmojnë edhe financiarisht, në mënyrë që klubi ynë të ecë përpara. Po ashtu, dy herë në vit do të zhvillojmë ndeshje miqësore me të gjitha gjeneratat,” deklaroi trajneri Sherafidin Suliman përmes një komunikimi me Sportmania.
Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm për futbollin e të rinjve në Shkup, duke hapur rrugë të reja për afirmimin e talenteve shqiptare në arenën ndërkombëtare.