Si finale me Slloveninë, flasin Zabërgja e Bekaj

- Bota Sot

Si finale me Slloveninë, flasin Zabërgja e Bekaj

Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar përgatitjet për dy ndeshjet vendimtare të këtij muaji kundër Sllovenisë dhe Zvicrës, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.

\Në përfundim të stërvitjes, dy futbollistët Baton Zabërgja dhe Visar Bekaj kanë folur për gjendjen e skuadrës dhe pritshmëritë për ndeshjet e ardhshme, duke shprehur optimizmin e tyre për rezultate pozitive.

“Jam shumë i lumtur për rikthimin, duke pasur parasysh se kemi përpara dy ndeshje jetike për Kombëtaren. Shpresoj që me seriozitet maksimal dhe qasje të mirë t’i kalojmë këto sfida dhe të arrijmë qëllimin tonë si ekip kombëtar. Fillimisht përballemi me Slloveninë, ku synojmë të paktën një pikë, edhe pse me grupin e lojtarëve që kemi mund të shkojmë për fitore. Ekipi është paraqitur në nivel të jashtëzakonshëm, sidomos kundër Suedisë, ku të gjithë dhanë 100 për qind dhe u arritën rezultatet që dëshiruam. Me këtë grup lojtarësh, mundemi dhe meritojmë të jemi pjesë e Botërorit”, tha Baton Zabërgja i rikthyer në ekipin kombëtar pas lëndimit që e kishte lënë jashtë grumbullimit të tetorit.

“Të gjithë bashkëlojtarët janë në formë shumë të mirë dhe atmosfera është e shkëlqyer.

Shpresoj të fokusohemi maksimalisht te ndeshja kundër Sllovenisë, sepse është shumë e rëndësishme të dalim me rezultat pozitiv.

Pastaj, nëse kemi pak fat dhe Zvicra gabon në ndeshjen e parë, do të kishim mundësinë të luajmë një finale këtu në ‘Fadil Vokrri’.

Mungesa e Aro Muriq? Kemi pasur situata të ngjashme edhe më herët, madje edhe kundër Zvicrës jashtë kemi luajtur pa 5-6 lojtarë kryesorë dhe kemi barazuar 1:1.

Edhe kundër Suedisë kishim mungesa por ia dolëm. Tani jemi shumë më të kompletuar dhe besoj se do t’ia dalim.

Më e rëndësishmja është që secili që hyn në fushë të japë maksimumin dhe jam i bindur se do të arrijmë rezultate pozitive në të dyja ndeshjet”, tha Bekaj.

Dardanët do të vazhdojnë me përgatitje edhe në ditët në vijim, me fokus të plotë drejt përballjes së parë ndaj Sllovenisë më 15 nëntor.



Read it all at Bota Sot