Kombëtarja U21 e Kosovës synon rezultate pozitive në kualifikuese për Kampionatin Evropian 2027 në futboll.
Kosova U-21 ka nisur përgatitjet në Larnaka të Qipros për dy ndeshjet që do t’i zhvillojë si mysafirë ndaj Qipros dhe Finlandës.
Për futbollistin Dren Zeqirin, ky është grumbullimi i parë me Kombëtaren U21. Ai u shpreh i lumtur për pritjen që i është bërë nga bashkëlojtarët dhe optimist për paraqitje të mirë.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij ekipi. Grupi më ka pritur ngrohtësisht dhe besoj se do të arrijmë një rezultat të mirë në këto ndeshje”, tha Zeqiri.
Ndërkaq, Eliot Bujupi theksoi rëndësinë e madhe që kanë ndeshjet kualifikuese për çdo futbollist të ri, duke shtuar se skuadra është e përgatitur dhe e motivuar për të vazhduar me rezultate pozitive.
“Është shumë e veçantë të luash në një ndeshje kualifikuese. Besojmë se me përkushtim mund të arrijmë objektivin tonë për t’u kualifikuar në fazën ‘play-off’ apo edhe në kampionatin evropian.
Kemi analizuar ndeshjen e fundit ndaj San Marinos dhe në ditët në vijim do të analizojmë edhe Qipron”, u shpreh Bujupi.
Ndeshja ndërmjet Qipros dhe Kosovës U21 do të zhvillohet të premten, më 14 nëntor, në orën 18:00 (sipas kohës së Kosovës).