Rumani, gjenden fragmente droni pas sulmeve ruse në portin ukrainas

- Bota Sot

Rumani, gjenden fragmente droni pas sulmeve ruse në portin ukrainas

Qeveria rumune ka njoftuar se ka zbuluar “fragmente të mundshme droni” në territorin e saj, pas sulmeve ajrore ruse ndaj portit ukrainas të Izmailit, në lumin Danub.

Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë bëri me dije se autoritetet janë informuar për “rënien e një objekti ajror në tokë, rreth 5 kilometra në jug të kufirit” në rajonin verior të Tulceas.

Forcat ushtarake janë dërguar menjëherë në zonë, ku kanë konstatuar praninë e copëzave që dyshohet se i përkasin një droni. Ministria shtoi se zona është rrethuar dhe po zhvillohen hetime për të përcaktuar origjinën e objektit.

Shërbimet rajonale të emergjencës thanë se morën një telefonatë për rënien e mundshme të një objekti nga ajri dhe, pas mbërritjes në vendngjarje, zjarrfikësit konfirmuan se përplasja me tokën nuk kishte shkaktuar zjarr apo dëme materiale.

Rumania, vend anëtar i NATO-s, ka raportuar disa herë gjatë muajve të fundit raste të ngjashme, pasi sulmet ruse ndaj infrastrukturës ukrainase pranë Danubit shpesh janë zhvilluar shumë afër kufirit rumun. 



Read it all at Bota Sot