Sllovenia ka presionin e madh në prag të ndeshjes me kombëtaren e Kosovës, në kuadër të xhiros së parafundit të kualifikimeve për Kampionatin Botëror në futboll.
Djelmoshat tanë synojnë pikë në stadiumin Stozhice të Lubjanës, e cila ua siguron pozitën e dytë edhe praktikisht.
“Dy gola në katër ndeshje deri më tani dhe tre pikë, dhe të shtunën Sllovenia duhet ta mposhtë Kosovën në Stozhice për të mbajtur gjallë shpresat e tyre për kualifikime përmes play-off-it në Kupën e Botës 2026”, shkruan mes të tjera media sllovene “Rtvslo”.
“Një dëmtim në gju në ndeshjen e së shtunës Tottenham - Manchester United solli lajmin e pritur të hënën. Benjamin Sheshko do të humbasë ndeshjen e nëntorit me Slloveninë, duke i dhënë fund kështu kualifikimeve të Grupit B për Kupën e Botës 2026.
Përveç tij, motori i ekipit kombëtar, Adam Gnezda Çerin, nuk mund të luajë në ndeshjen e së shtunës në shtëpi për shkak të kartonëve të verdhë”, shkruan mes të tjera media sllovene.
Zvicra kryeson me 10 pikë, pasojnë Kosova 7, Sllovenia 3 dhe Suedia 1 pikë.