Çmimi i Madh i Brazilit në Formula 1 solli zhgënjimin e radhës te Ferrari.
Performanca në Interlagos është shoqëruar me një reagim të fortë nga presidenti i skuadrës italiane, Xhon Elkan.
Numri një i Ferrarit nuk i ka kursyer kritikat në analizën e garës braziliane.
“Duke parë kampionatin e Formulës 1, mund të themi se nga njëra anë kemi mekanikët tanë që, me performancat e tyre në ‘pole position’ dhe në ‘pit stop’-e, po tregojnë se janë ndër më të mirët.
Po të shohim inxhinierët, nuk ka dyshim se makina është përmirësuar. Por pjesa tjetër nuk ka qenë në lartësinë e duhur, një zhgënjim i madh”.
Kështu e përmblodhi Xhon Elkan, presidenti i Ferrarit, analizën e tij pas një tjetër gare zhgënjyese, këtë herë në Brazil. Në mënyrë të veçantë, ai kritikoi ashpër dyshen e pilotëve, Sharl Lëklerk dhe Luis Hamilton, me britanikun që e kishte cilësuar garën e së dielës si “një makth”.
“Ata të përqendrohen në drejtim dhe të flasin më pak. Ende kemi disa gara përpara dhe nuk është e pamundur të arrijmë vendin e dytë në kampionatin e konstruktorëve”, theksoi bosi i Ferrarit, i cili më tej shtoi: “Sot kemi te Vasër një drejtor skuadre që është plotësisht i përkushtuar për ta bërë Ferrarin të performojë në maksimum”.
Elkan kujtoi gjithashtu edhe triumfin e fundit të skuadrës në kampionatin e qëndrueshmërisë (WEC):
“Mesazhi më i rëndësishëm vjen nga Bahreini: kur Ferrari është një skuadër e bashkuar, ne fitojmë.
Fitorja në kampionatin e qëndrueshmërisë, si për konstruktorë ashtu edhe për pilotë, ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Është një dëshmi e qartë se kur Ferrari qëndron i bashkuar, mund të arrijë rezultate të mëdha”, përfundoi pinjolli i familjes Anjeli.