Kombëtarja shqiptare po kalon një periudhë fantastike pikërisht në prag të përballjes vendimtare të së enjtes ndaj Andorrës, ndeshje që mund të përcaktojë fatin e kualifikimit në fazën play-off të Kupës së Botës 2026.
Skuadra e drejtuar nga Sylvinho ka shfaqur vazhdimësi dhe rritje të dukshme gjatë vitit 2025, me një bilanc mbresëlënës prej 5 fitoreve, 2 barazimesh dhe vetëm 1 humbjeje, kjo e fundit në debutimin e kualifikueseve ndaj Anglisë. Nga këto ndeshje, gjashtë janë të vlefshme për kualifikueset e Botërorit, ku kuqezinjtë kanë treguar karakter, disiplinë dhe efikasitet në sulm.
Përveç humbjes 2-0 me Anglinë dhe barazimit pa gola kundër Serbisë në “Air Albania”, Shqipëria ka shënuar në çdo takim tjetër, duke arritur në total 11 gola në 6 ndeshje, një mesatare që i afrohet 2 golave për ndeshje, shifër që dëshmon për progresin e dukshëm të sulmit.
Stadiumi “Air Albania” ka qenë një fortesë e vërtetë për kuqezinjtë gjatë këtij viti.
Në katër ndeshjet e zhvilluara në Tiranë, ekipi ynë ka regjistruar 3 fitore dhe një barazim, duke mbajtur të paprekur moralin e skuadrës dhe besimin e tifozëve.
Meritat për këtë ecuri pozitive i takojnë jo vetëm lojtarëve, por edhe trajnerit Sylvinho dhe stafit të tij teknik, të cilët kanë ndërtuar një grup të bashkuar, me identitet të qartë loje dhe ambicie për të bërë historinë në kualifikueset drejt Botërorit 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.