Kombëtarja e Kosovës është gati për sfidat si finale me Slloveninë dhe Zvicrën, në kuadër të Grupit B të kualifikimeve për Kampionatin Botëror në futboll.
Kosova është në vend të dytë me 7 pikë, tre më pak se lideri Zvicra dhe katër më shumë se Sllovenia, ndërsa Suedia është në fund me 1 pikë.
Pas stërvitjes është deklaruar mbrojtësi Albian Hajdari.
“Atmosfera është shumë e mirë. Ne jemi gati.
Stërvitja është shumë intensive dhe kualiteti shumë i mirë dhe deri tash gjithçka ka shkuar mirë. Ne do të përgatisim lojën kundër Sllovenisë për të marrë maksimumin, 3 pikët.
Nuk është e lehtë të analizohet kundërshtari, sepse ndeshjen e parë e kemi luajtur këtu në ‘Fadil Vokrri’, kurse tani luajmë në Lubjanë.
E dimë se na pret një ndeshje e vështirë, por trajneri është duke na përgatitur shumë mirë që në ditën e lojës ta japim maksimumin”, tha Hajdari.