Bayerni dëshiron t’i zgjas kontratën Dajot Upamekanos.
Në një intervistë të gjatë, francezi nuk dha shumë detaje, por foli me shumë vlerësim për trajnerin Vinsent Kompani.Dajot Upamekano nuk njihet për fjalë të shumta, por këtë të martë mbrojtësi i qendrës së Bajernit pati mundësi të fliste gjerë e gjatë.
Francezi foli për zhvillimin e tij, për trajnerin aktual dhe për vendimin që e pret verën e ardhshme lidhur me të ardhmen e tij. I pyetur për Kompani, Upamekano fillon menjëherë ta lavdëroj.
“Kam provuar të përmirësoj shumë gjëra, dhe këtë ia detyroj mbi të gjitha një trajneri të madh,” sqaron 27-vjeçari.
“Kur ai erdhi, menjëherë më dha këshilla.” Kompani e thërret shpesh mbrojtësin në zyrë për t’i treguar “vidjo ku shoh qartë se çfarë duhet të përmirësoj.” Kompani, vetë dikur një qendërmbrojtës i klasit të lartë, është një ndihmë e madhe për të në pozicionim dhe parashikim në fushë.
Stili aktiv i lojës dhe presingu përpara i belgut i përshtatet shumë mirë Upamekanos, i cili shpjegon:
“Ndihem shumë më i fortë. Që kur erdhi Kompani, shumë gjëra ndryshuan. Na tregoi si të mbrohemi më mirë.”
Fakti që “një sulmues si Herri Kejn po mbronte ende në minutën e 87- të” tregon gjithçka për Bajernin nën drejtimin e Kompanisë. Para përballjes me PSG-në, trajneri belg theksoi qartë “se nuk duhet të kemi frikë dhe duhet të sulmojmë.”
Madje, sipas Upamekanos, ai i kishte thënë: “Nëse duhet, vendos presion edhe te portieri.” Plani i Kompano funksionoi sërish; Bajern mbetet i pamposhtur në 17 ndeshje zyrtare. Upamekano ka një rol qendror në këtë seri, me nëntë paraqitje në Bundesligë dhe katër në Ligën e Kampionëve. Bajerni dëshiron të zgjas kontratën e tij, e cila skadon në verën e ardhshme. Këtë e konfirmoi presidenti i rizgjedhur Herbert Hainer në mbledhjen e anëtarëve, ndërsa drejtori sportiv Kristof Frojnd theksoi fundjavën e kaluar se “qëllimi ynë kryesor është të zgjasim kontratën e Upamekanos.”
Po vetë lojtari çfarë mendon për të ardhmen në Mynih? “Kam një këshilltar të mirë. Do të marrim vendimin e duhur,” tha ai, duke shmangur përgjigjet e drejtpërdrejta.
“Gjithmonë kam thënë se ndihem rehat te Bajern. Kam një trajner të madh dhe bashkëlojtarë të shkëlqyer.
Jam i përqendruar në këtë sezon dhe në objektivat me klubin dhe kombëtaren,” shton ai, por në të njëjtën kohë thekson: “Ndihem i nderuar nëse ka klube që interesohen për mua”.