Starmer: BBC duhet të rregullojë punët e veta

- Bota Sot

Starmer: BBC duhet të rregullojë punët e veta

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se mbështet një BBC të fortë dhe të pavarur, por se transmetuesi publik duhet të "rregullojë punët e veta" pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënoi ta padiste për mënyrën se si redaktoi një nga fjalimet e tij.

BBC është gjendur në krizën e saj më të madhe në dekada pasi drejtori i përgjithshëm dhe redaktori ekzekutiv i lajmeve dhanë dorëheqjen mes kritikave për standardet dhe akuzave për paragjykim, përfshirë fjalimin e Trump, raporton KosovaPress.

Starmer, i cili ka ndërtuar një marrëdhënie të fortë me Trump, u pyet në parlament nëse do ti kërkonte presidentit të SHBA-së të hiqte dorë nga kërcënimi i tij për të paditur BBC-në, e cila financohet nga një tarifë e detyrueshme nga familjet televizive, për një miliard dollarë dëmshpërblim.

Veprimet e Trump mund të bëjnë që BBC të detyrohet të përdorë para nga shikuesit e Mbretërisë së Bashkuar për të paguar kompensim ndaj presidentit të SHBA-së, duke e përkeqësuar më tej krizën në transmetuesin publik dhe kritikat me të cilat përballet.

"Le të jem i qartë: Unë besoj në një BBC të fortë dhe të pavarur. Disa do të preferonin që BBC të mos ekzistonte. Disa prej tyre janë ulur atje lart", tha ai, duke drejtuar gishtin nga deputetët konservatorë të opozitës.

"Unë nuk jam njëri prej tyre. Në një epokë dezinformimi, argumentet për një shërbim lajmesh britanik të paanshëm nuk kanë qenë kurrë më të forta", shtoi ai. Por ai tha gjithashtu se BBC duhet ti përmbahet standardeve më të larta.

"Kur bëhen gabime, ata duhet të vënë rregull në shtëpinë e tyre", tha ai.

Programi Panorama i BBC-së, i transmetuar një javë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, tregoi fjalimin e Trump në të cilin dy pjesë të tij ishin kombinuar në mënyrë të panatyrshme, duke krijuar përshtypjen se ai po bënte thirrje hapur për trazirat që ndodhën në Capitol Hill në janar 2021.

Avokatët e Trump i bënë thirrje BBC-së që ta tërheqë filmin deri të premten. Avokatët e Trump thanë se ishte "i rremë dhe shpifës". BBC pranoi të hënën se ishte një "llogaritje e gabuar". Një zëdhënës i BBC-së njoftoi se transmetuesi do të "përgjigjej drejtpërdrejt në kohën e duhur" ndaj kërcënimit të Trump.

BBC financohet kryesisht nga tarifa e licencës dhe të ardhurat komerciale.



Read it all at Bota Sot