Ish-trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka reflektuar mbi përvojën e tij në krye të klubit katalanas gjatë një konference mbi lidershipin të mbajtur në Universitetin ESIC.
Në fjalën e tij, ai foli me sinqeritet për periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2024, kur drejtoi Barcelonën, duke bërë autokritikë për disa vendime që, sipas tij, ndikuan negativisht në performancën e skuadrës.
“E nisa karrierën time si trajner te Barça me kërkesa shumë të larta ndaj lojtarëve dhe klubit,” u shpreh Xavi, siç transmeton ‘El Mundo Deportivo’.
“Klubi po kalonte një periudhë rënieje, me pak pritshmëri. Gabimi im ishte që mbajta ato standarde të larta vetëm për një vit, nga momenti që erdha, deri kur fituam La Liga-n dhe Superkupën.”
Tekniku 45-vjeçar pranoi se gjatë sezonit të dytë, 2023–2024, humbi disi kontrollin dhe intensitetin që e kishte karakterizuar në fillim. “Me kalimin e kohës, arrita të bëj autokritikë dhe i thashë vetes: ‘Mallkim, çfarë më ndodhi?’
Kisha ulur standardet e mia dhe lojtarët nuk kishin më të njëjtin qëndrim, respekt dhe përkushtim. Gjërat ranë gjithnjë e më shumë, deri në pikën që në sezonin tim të fundit nuk fituam asgjë,” shtoi ai me keqardhje.
Megjithatë, Xavi theksoi se kjo përvojë i shërbeu për t’u rritur profesionalisht: “Kam mësuar shumë nga gjithçka që ndodhi. Duhet të isha më i ashpër me veten dhe të reflektoja thellë. Ishte një periudhë e vështirë, por edhe shumë e vlefshme për zhvillimin tim si trajner".