Italia kërkon të ruajë serinë e fitoreve, teksa ekipi i Gennaro Gatussos përgatitet për sfidën e radhës të kualifikuesve të Botërorit kundër Moldavisë. Dueli mbahet në Kishinjev, ne “Zimbru Stadium” dhe objektivi i vetëm i trajnerit dhe i ekipit është tre pikëshi
Kombëtarja e Italisë përballet me atë Moldavisë këtë të enjte, në “Zimbru Stadium” të Kishinjevit, pas katër fitoreve radhazi në kualifikueset e Botërorit.
Të renditur në vendin e dytë të grupit I, pas Norvegjisë, ekipi I Gennaro Gattusos duket se matematikisht e ka siguruar një vend në play-off. Megjithatë për teknikun italian nuk ka vend për gabime në këtë sfidë.
“Ne përqendrohemi te vetja, jo te Norvegjia. Por le të mos mashtrohemi – çdo rezultat tjetër përveç fitores do ta dërgonte Italinë drejt fazës eliminatore në mars, - deklaroi Gattuso.
Pavarësisht kësaj, ai e cilësoi Moldavinë një kundërshtar të rrezikshëm:
“Moldavia është një kurth, nuk ka më ndeshje të lehta. Ndeshjet e fundit të këtij grupi janë gjithmonë të rrezikshme, sidomos kur në lojë është kualifikimi, - tha ai.
Italia luan pritet të luajë me skemën 4-4-2: Vicario në portë; Bellanova, Mancini, Buongiorno dhe Cambiaso në mbrojtje; Orsolini, Cristante, Tonali dhe Zaccagni në mesfushë; në sulm dyshja Scamacca dhe Raspadori.
Në krahun tjetër, Moldavia pritet përforcojë mbrojtjen, me skemën e mundshme 5-3-2.
Historia flet në favor të të kaltërve. Në gjashtë ndeshje të zhvilluara mes kundërshtarëve, gjashtë fitore për Italinë, 17 gola të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar.
Pas Moldavisë, sfida e fundit për Italinë është kundër kryesuesve të grupit I, Norvegjisë më 16 nëntor.