Messi emocionon tifozët argjentinas

- Bota Sot

Messi emocionon tifozët argjentinas

Pasioni i tifozëve argjentinas nuk njeh kufij! Dy ditë më parë, Kombëtarja e Argjentinës zhvilloi një seancë stërvitore me dyer të mbyllura, por kjo nuk i ndaloi qindra tifozë që u ngjitën në kodra, çati e gardhe vetëm për të parë nga afër Lionel Messin, De Paul-in dhe idhujt e tjerë të “Albiceleste”.

Pamjet e këtij entuziazmi të jashtëzakonshëm bënë që Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) të merrte një vendim të papritur: stërvitja e së enjtes do të zhvillohej me dyer të hapura për publikun.

Dhe ajo që pasoi ishte një spektakël emocionesh të vërteta. Shifrat zyrtare të pjesëmarrjes treguan 20,085 tifozë të pranishëm, të cilët e shndërruan stadiumin modest Martínez Valero në një kazan emocionesh.

Orë të tëra përpara hapjes së dyerve, mijëra tifozë kishin formuar radhë të gjata përreth stadiumit, duke kënduar këngë dhe valëvitur pankarta me fytyrën e Messit.

Flamuri kombëtar argjentinas ndriçonte ekranet gjigante, ndërsa mbishkrimi “Coronados de gloria vivamos” (“Le të jetojmë të kurorëzuar me lavdi”) shtrihej në tribunën qendrore.

Rreth saj, ishin vendosur imazhe madhështore të Maradonës, Messit dhe skuadrës aktuale, duke krijuar një homazh të paharrueshëm për historinë e lavdishme të futbollit argjentinas.

Kur lojtarët dolën në fushë nën tingujt e himnit kombëtar, Martínez Valero shpërtheu në brohoritje. Çdo prekje e topit nga Messi shoqërohej me duartrokitje të fuqishme, dhe një valë e thjeshtë e tij drejt tribunave mjaftonte për të çuar publikun në delir.

Në fund, klubi Elche i bëri Messit një surprizë të veçantë: i dhuroi një fanellë të personalizuar me emrin e tij dhe numrin ikonik 10 – një gjest që solli duartrokitjet më të forta të ditës.

Pas stërvitjes, kapiteni i Argjentinës u shpreh në rrjetet sociale:

“Kishte kaluar pak kohë që nuk isha këtu dhe, sinqerisht, dashurinë që më keni treguar gjithmonë kudo që shkoj, më prek shumë. Faleminderit të gjithëve që erdhët sot, ishit kaq shumë argjentinas!!! Gjithmonë është kënaqësi t’ju shoh sërish!”

Argjentina po vijon përgatitjet për ndeshjet e radhës ndërkombëtare, ndërsa dashuria e tifozëve për Messin dhe “La Scalonetan” vazhdon të dëshmojë pse futbolli në këtë vend është më shumë se sport – është fe.



Read it all at Bota Sot