Organizatë kriminale dhe korrupsion, Prokuroria kërkon arrestimin e ish-ministrit të Drejtësisë në Poloni!

- Bota Sot

Organizatë kriminale dhe korrupsion, Prokuroria kërkon arrestimin e ish-ministrit të Drejtësisë në Poloni!

Prokurorët polakë kërkuan sot arrestimin e një ish-ministri të Drejtësisë, i cili është arratisur në Hungari për të shmangur ndjekjen penale, për formimin e një organizate kriminale dhe keqpërdorimin e fondeve publike.

Zbigniew Ziobro, i partisë populiste dhe konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS), promovoi reformën kontraverse të sistemit gjyqësor, që e solli Poloninë në konflikt me Brukselin midis viteve 2015 dhe 2023. Ai është ndjekur penalisht për 26 akuza, të cilat mbartin një dënim prej 25 vjetësh burgim.

Kërkesa për arrest duhet të vërtetohet nga një gjykatë brenda shtatë ditëve. Nëse kjo nuk ndodh, Prokurori Kombëtar Premislav Novak ka lënë të kuptohet se do të lëshojë një urdhër arresti evropian.

Ish-ministri ndodhet në Hungari dhe deklaron se nuk ka ndërmend të kthehet në Poloni, duke pretenduar se po persekutohet për arsye politike dhe se qeveria aktuale po nis një “gjueti shtrigash” kundër opozitës.

Vartësi i Ziobros në qeverinë e PiS, Marcin Romanowski, i akuzuar për vepra të ngjashme penale, tashmë i është dhënë azil politik në Hungari, pavarësisht urdhër-arrestit evropian të lëshuar nga Varshava dhe pavarësisht protestave të forta nga Qeveria polake.

Hungaria euroskeptike e Viktor Orbán ishte një aleate e ngushtë e Polonisë gjatë epokës së PiS. Të dy vendet u akuzuan nga BE për shkelje të sundimit të ligjit.

Ziobro, i cili shërbeu edhe si Prokuror Kombëtar, akuzohet për orkestrimin e keqpërdorimit të parave nga një fond i posaçëm për të mbështetur viktimat e krimit. Ai i përdori këto fonde për qëllime politike dhe për të financuar në mënyrë të paligjshme blerjen e programit spiun Pegasus.

Sipas qeverisë aktuale, softueri është përdorur në atë kohë për të monitoruar politikanët e opozitës. Javën e kaluar, Parlamenti i hoqi imunitetin parlamentar Ziobros.



Read it all at Bota Sot