Alarmi i BE-së për Mjedisin

- Bota Sot

Alarmi i BE-së për Mjedisin

EC Ma Ndryshe duke komentuar masat që Komisioni Evropian i ka dhënë Kosovës në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, ka theksuar se zbatimi i këtyre masave do të ishte një hap i rëndësishëm drejt një mjedisi më të pastër dhe më të sigurt për qytetarët, por edhe një dëshmi për përkushtimin institucional të Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Sipas EC Ma Ndryshe thekson se këto rekomandime përkojnë me shqetësimet e shprehura vazhdimisht nga organizatat e shoqërisë civile, përfshirë mungesën e kontrollit ndaj ndotjes urbane, mbeturinave ndërtimore dhe degradimit të peizazheve natyrore.

“Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, i publikuar më 4 nëntor 2025, konfirmon shqetësimet e adresuara nga shoqëria civile për gjendjen e mjedisit dhe të politikave klimatike në vend. Në raport, Komisioni Evropian thekson se Kosova ka bërë përparim të kufizuar në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, duke mbetur ende në fazat e hershme të harmonizimit me standardet e Bashkimit Evropian. Raporti evidenton se ndonëse janë ndërmarrë disa hapa ligjorë dhe institucionalë, zbatimi praktik i ligjeve për mbrojtjen e mjedisit vazhdon të jetë i pamjaftueshëm. Mungesa e menaxhimit të qëndrueshëm të mbeturinave, ndotja e lumenjve dhe ajrit, si dhe presioni në rritje ndaj zonave të mbrojtura, mbeten sfida madhore që kërkojnë veprim urgjent dhe se shumica e rekomandimeve të vitit të kaluar të Komisionit Evropian mbeten të paadresuara. Sipas raportit (link: https://tinyurl.com/yb59reu2), Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka ndërmarrë disa hapa drejt forcimit të kapaciteteve administrative, por se ristrukturimi i saj përfundimtar ende nuk është realizuar. Aty nënvizohet se kapacitetet e autoriteteve mjedisore si në nivel qendror ashtu edhe atë lokal për zbatimin e politikave mjedisore në përputhje me standardet evropiane mbetet e kufizuar dhe se një gjë e tillë në mënyrë serioze pengon progresin në këtë sektor. Edhe financimi i pamjaftueshëm krijon pengesa sa i përket zbatimit të kornizës strategjike, teksa ndërgjegjësimi i publikut për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit mbetet i kufizuar dhe gjithashtu çështje urgjente”, thuhet në njoftim.

Raporti konstaton se gjatë vitit 2024 niveli i ndotjes së ajrit është rritur dhe tejkalon kufijtë e lejuar për substanca si dioksidi i squfurit (SO₂), oksidet e azotit (NOx) dhe pluhuri. Ndotja e ajrit vazhdon të paraqesë rrezik serioz për shëndetin publik, për shkak të vonesave në zbatimin e masave për reduktimin e emetimeve.

Pastaj ndonëse strategjia e integruar e menaxhimit të mbeturinave 2024–2026 është miratuar, BE-ja konsideron se zbatimi mbetet i dobët. Në menaxhimin e mbeturinave, numri i deponive ilegale është rritur me 13.6%, duke arritur në 458 deponi aktive në vitin 2025 nga 403 sa ishin në vitin 2024. Ligji i ri për menaxhimin e mbeturinave ende nuk është miratuar, ndërsa vonesat në vendosjen e sistemit të rimbursimit për ambalazhe (Deposit Refund System) kanë shtyrë përpara zbatimin e politikave për riciklim dhe ekonominë qarkore.

Ndërkaq mbrojtja e natyrës mbetet ndër fushat më të brishta. Procesi i identifikimit të zonave të mundshme për rrjetin Natura 2000 është në fazë shumë të hershme, ndërkohë që zonat ekzistuese të mbrojtura vazhdojnë të ndoten dhe të jenë të ekspozuara ndaj aktiviteteve ilegale.

Raporti vëren se rreth 40% e pyjeve publike janë të prekura nga prerjet e pakontrolluara ose ilegale, duke theksuar mungesën e zbatimit të ligjit dhe strategjisë për pylltari. Edhe strategjia kombëtare për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillim të qëndrueshëm 2024–2033 ende nuk është miratuar.

Edhe pse në vitin 2024 u themelua Task-Forca e Gjelbër, që kontribuoi në disa vendime gjyqësore kundër ndotësve dhe ndërtimeve ilegale, mandati i saj përfundoi në fund të atij viti, pa një mekanizëm të qëndrueshëm për vazhdimin e përgjegjësisë mjedisore.

Ngjashëm sikurse gjetjet në raportet e publikuara nga EC Ma Ndryshe bazuar në monitorimin e administratës qendrore dhe komunave, edhe raporti i BE-së thekson se kapacitetet inspektuese në nivel qendror dhe lokal mbeten të pamjaftueshme, ndërsa mungesa e fondeve përbën një pengesë thelbësore për zbatimin efektiv të politikave dhe strategjive mjedisore.

Në sektorin e ujit, mungesa e një Ligji të ri për Ujërat dhe vonesat në planet e menaxhimit të pellgjeve lumore pengojnë përmbushjen e standardeve evropiane. Raporti thekson mungesën e identifikimit të zonave të ndjeshme dhe strategjisë për menaxhimin e llumit, çka kufizon përparimin në infrastrukturën ujore.

Në të njëjtën kohë, mbetjet e rrezikshme minerare dhe derdhjet industriale vazhdojnë të paraqesin rrezik për tokën, ujërat dhe shëndetin publik, ndërsa nuk ka përparim në përputhje me Direktivën për Emisionet Industriale të BE-së.

Kosova ka miratuar Ligjin për Ndryshimet Klimatike në vitin 2023 dhe ka dorëzuar Kontributet Kombëtare të Përcaktuara (NDC) në mars 2025, por zbatimi praktik mbetet minimal.

Raporti kërkon miratimin urgjent të Planit Kombëtar të Përshtatjes (NAP) dhe Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë (NECP), si dhe harmonizimin me sistemin evropian të tregtimit të emisioneve (ETS). Institucionet përgjegjëse për politikat klimatike kanë mungesë të theksuar të stafit dhe burimeve, ndërsa ndërgjegjësimi publik mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike mbetet i ulët.

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025 konfirmon se sfidat mjedisore të Kosovës janë më shumë strukturore sesa teknike e të lidhura ngushtë me mungesën e koordinimit, financimit dhe zbatimit efektiv të ligjeve ekzistuese.

Nëse nuk ndërmerren masa të qarta për forcimin e institucioneve dhe zbatimin e standardeve të BE-së, Kosova rrezikon të mbetet prapa në procesin e tranzicionit të gjelbër, duke përkeqësuar më tej ndikimet në shëndet, mjedis dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.

Sipas rekomandimeve të raportit, gjatë vitit të ardhshëm Kosova duhet në veçanti të:

-sigurojë masa të përshtatshme për menaxhimin e zonave të mbrojtura dhe të ndalojë ndotjen apo ndërhyrjet e paligjshme në to;

-plotësojë Ligjin për menaxhimin e mbeturinave për ta përafruar me standardet e BE-së; dhe

-të zbatojë Ligjin për ndryshimet klimatike dhe të përafrohet me kuadrin e Monitorimit, Raportimit, Verifikimit dhe Akreditimit (MRVA) në përputhje me acquis të Bashkimit Evropian.



Read it all at Bota Sot