Maqedonia U21 pësoi një tjetër humbje në kualifikueset e Kampionatit Evropian në futboll.
Këtë herë skuadra Maqedonia u mposht nga Suedia me rezultatin 4:1.
“Bëmë një analizë të mirë, i dinim pikat e tyre të forta. Kemi problem me lojtarët jashtëzakonisht të shpejtë, por në fillim dukeshim mirë.
Duhet të them se kjo gjeneratë vuan nga naiviteti dhe “sëmundjet e fëmijërisë”, sepse bëmë gabime kardinale që çuan në këtë humbje bindëse”, tha trajneri maqedonas Goran Staniq.
“Bëmë gabime në momente kur na duhej ta qetësonim lojën dhe të kontrollonim rrjedhën. Pasi pësuam dy gola të shpejtë, nuk kishim çfarë të humbisnim dhe na u desh të luanim më me guxim. E njëjta gjë na ndodhi edhe në ndeshjen kundër Malit të Zi, luajtëm mirë dhe patëm raste, por pastaj e humbëm ndeshjen.”
“Duhet ta kuptojmë se gabime të tilla nuk janë të pranueshme në këtë nivel.
Mund të përballemi me të gjitha ekipet, e kemi parë këtë në ndeshjet e fundit, por duhet të përmirësohemi në disa segmente.
Po punojmë për të qenë më të përqendruar në momentet kyçe, shpresoj se kjo do të ndryshojë në të ardhmen e afërt.”
Shpresat e U21 do të luajnë ndeshjen e tyre të radhës të martën, gjithashtu në Manastir, kurse kundërshtar i tyre është kombëtarja polake U21.