Sylvinho emocionon me mesazhin

- Bota Sot

Sylvinho emocionon me mesazhin

Trajneri i Shqipërisë, braziliani Sylvinho, ka shpërndarë një mesazh të fortë dhe emocionues në rrjetet sociale pas sigurimit të kualifikimit në fazën play-off të Botërorit 2026, një objektiv historik për Kombëtaren kuqezi.

“Ishte një shpërthim emocionesh të pastra dhe të sinqerta,” – shkroi Sylvinho, duke nënvizuar se arritja nuk ishte fryt i rastësisë, por rezultat i një pune të gjatë dhe të përkushtuar. Ai theksoi se ky sukses erdhi falë kontributit të futbollistëve, stafit teknik, punonjësve dhe drejtuesve, të cilët të gjithë punuan për të njëjtin qëllim.

Trajneri kujtoi se projekti aktual i Kombëtares ka nisur pothuajse tre vjet më parë dhe është rritur vazhdimisht me kalimin e kohës, duke marrë formën e një skuadre më të pjekur, më të fortë dhe me identitet të qartë në fushë.

“Shumë i lumtur për këtë arritje historike. Forca Shqipëri,” – përfundoi Sylvinho, teksa bashkoi besimin e tij me entuziazmin e tifozëve që po e shijojnë një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e futbollit shqiptar.

Kombëtarja tani do të përgatitet për fazën play-off, ku synimi është i qartë: të shkruhet një tjetër faqe e artë për futbollin shqiptar.



Read it all at Bota Sot