Kosova përball sfidës vendimtare ndaj Sllovenisë, qytetarët shpalosin pritjet e tyre nga dardanët

- Bota Sot

Kosova përball sfidës vendimtare ndaj Sllovenisë, qytetarët shpalosin pritjet e tyre nga dardanët

Para ndeshjes vendimtare të Kombëtares së Kosovës ndaj Sllovenisë në Lubjanë që zhvillohet sonte nga ora 20:45, qytetarët shprehin besim të madh se “Dardanët”, mund të marrin rezultat pozitiv dhe të bëjnë hapin e madh drejt ëndrrës së Botërorit 2026.

Nga parashikime optimiste e deri te pritshmëritë për paraqitje të shkëlqyera individuale, fryma pozitive dominon mes tifozëve kosovarë.

Afrim Abdullahu thotë për KosovaPress, se dardanët duhet të jenë të kujdesshëm në ballafaqim me Slloveninë, por shprehet i bindur se nga atje Kosova do të kthehet me fitore.

“Gjithsesi, kur ka nxjerrë prej ekipeve më të forta, prej Sllovenisë nuk ka ndonjë problem, pak kujdes duhet pasur, por do të kalojë shumë mirë...Normal, historike, e jashtëzakonshme edhe gjasat i ka edhe në botëror vetëm duhet pak të jenë të vëmendshëm...Mund të ndodh të përfundojë ndeshje 2 me 0 për Kosovën”, tha Abdullahu.

Për qytetarin Behram Krasniqi, forma e mirë e lojtarëve është garanci e një suksesi të madh edhe ndaj Sllovenisë sonte.

“Nëse bazohemi në formën e mirë që e kanë futbollistët e përfaqësuese sonë kombëtare shqiptare të Kosovës jam shumë optimist që nga Sllovenia Kosova do të kthehet së paku me një pikë por megjithatë unë shpresoj edhe besoj që do të arrijmë një fitore të plotë pastaj do të jetë kjo një pasqyrë e madhe dhe e suksesshme në prag të ndeshjes tjetër që quhet finale para finales me Zvicrën që do të zhvillohet në Prishtinë”, deklaroi

Ndërsa, Nesar Abdullahu shprehet i bindur se Kosova do të triumfojë me rezultat 2-0 dhe se Edon Zhegrova do të shkëlqejë në këtë ndeshje.

“Shpresoj të fitojë, kaq di të them edhe po pres që po, 2-0 ose 2-0 t’ia bëjë...Kjo do të ishte më shumë se sa ku ta di çka, kjo do të jetë lajmi më i mirë që mund ta dëgjojmë ndonjëherë. E di ti vet se si jemi ne të flaktë pas futbollit dhe duke e ditur që çmendemi sikur jep gol Shqipëria ashtu edhe Kosova veç shpresojë që të dy të kualifikohen sa më lartë...Edon Zhegrova që ka shkuar në Juventus mund t’i jap dy apo tri gola”, theksoi Abdullahu.

E sipas Krasniqi, përcaktues i fitores së Kosovës ndaj Sllovenisë do të jetë sulmuesi Vedat Muriqi.

“Në bazë të formës së mirë që ka Vedat Muriqi jam i bindur që do të jetë golashënues në Lubljanë apo ku zhvillohet ndeshja në Slloveni, edhe këtu prapë mendoj që Vedat Muriqi do të jetë përcaktues i fitores por gjithmonë me ndihmën e bashkëlojtarëve të tij, me ndihmën e publikut të zjarrtë që e ka Kosova”, tha ai.

Momentalisht Kosova është e dyta në grupin B me shtatë pikë, tri më pak se Zvicra e vendit të parë dhe katër më shumë se rivali i sotëm, Sllovenia, andaj një pikë e fituar në këtë ballafaqim do të garantonte kualifikimin në fazën e playoff-it për kualifikimin në Kampionatin Botëror 2026.

Përndryshe, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe Artmotion, e sjell spektaklin në zemër të qytetit, konkretisht në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku pritet të jetë një super atmosferë për transmetimin live të ndeshjes Slloveni-Kosovë, duke filluar në orën 20:45.



Read it all at Bota Sot