Tifozët e Kosovës që do të mbështesin Kombëtaren sonte në stadiumin “Stozhice” në Lubjanë për ndeshjen vendimtare të kualifikimeve për Botërorin 2026 janë paralajmëruar për rregulla të veçanta sigurie dhe organizimi.
Ndeshja nis në orën 20:45, ndërsa dyert e stadiumit hapen që nga ora 18:45, për të shmangur tollovinë dhe për të lehtësuar hyrjen.
Një nga udhëzimet më të rëndësishme lidhet me simbolet kombëtare: tifozët e Kosovës lejohen të mbajnë flamuj dhe simbole vetëm në sektorin D, që është caktuar si zona e tyre e veçantë, e quajtur “Dardanët”.
Ata që paraqiten me flamuj në sektorët A, B ose C do t’u refuzohet hyrja, por mund të depozitojnë sendet në një hapësirë të posaçme dhe të përpiqen të hyjnë sërish.
Interesimi për ndeshjen është i lartë, përfshirë komunitetin kosovar që jeton në Slloveni, dhe pritet që stadiumi me 16 mijë vende të jetë i mbushur kryesisht nga tifozët e Kosovës.
Një barazim sonte i garanton Kombëtares së Kosovës plejofin për Botërorin 2026, duke bërë këtë takim një prej më të rëndësishmëve në histori.