Guardiola i bindur

- Bota Sot

Guardiola i bindur

Mançester Siti lëshoi një sinjal të fortë, sa i takon garës së titullin në Premier Ligë, kur mposhti kampionët në fuqi të Liverpulit, me rezultat 3-0 në “Etihad Stadium”.

Me këtë fitore, “Citizens” ngjiten në vendin e dytë të renditjes, vetëm katër pikë pas Arsenalit kryesyes, duke konfirmuar formën e tyre të shkëlqyer me 5 fitore në 6 ndeshjet e fundit.

Trajneri Pep Guardiola, i cili festoi ndeshjen e tij të 1000-të si menaxher, u shpreh se kjo fitore tregon qartë ambiciet e Sitit për titullin: “Para ndeshjes u thashë lojtarëve se duhet të fitojmë për veten tonë, jo sepse Arsenal barazoi një ditë më parë. Ndaj Liverpulit treguam se jemi gati për titull. Skuadra besoi dhe bëri një ndeshje të mire”, tregoi tekniku spanjoll.

Me golat e Erling Haland, Niko González dhe Zheremi Doku, Siti jo vetëm që mori tre pikë të rëndësishme, por edhe dërgoi një sinjal të qartë rivalëve se është i gatshëm të luftojë deri në fund për trofeun e Premier Ligës gjatë këtij sezoni.

Ndër të tjera, trajneri Guardiola, ka bërë një thirrje të fuqishme për tifozët që të mbushin Stadiumin Olimpik “Lluis Companys” në Barcelonë më 18 nëntor, kur Kombëtarja e Katalonisë do të përballet me Kombëtaren e Palestinës në një ndeshje miqësore, me simbolikë të veçantë.

Përmes një videoje të postuar në Instagram, Guardiola e quajti Barcelonën një “qytet paqeje” dhe theksoi se kjo përballje është “më shumë se një lojë”, duke e cilësuar si një thirrje për solidaritet dhe një homazh për më shumë se 400 sportistët palestinezë të vrarë në Gaza që nga tetori 2023.

“Barcelona, qytet i paqes, pret të martën ndeshjen mes Kombëtares së Katalonisë dhe Kombëtares Palestineze.

Është shumë më tepër se një lojë, është një thirrje për solidaritet, një homazh për më shumë se 400 sportistët palestinezë që janë vrarë në Gaza.

Ta mbushim stadiumin”, u prononcua Guardiola. Konkretisht, ndeshja është organizuar për të promovuar unitetin dhe ndërgjegjësimin mbi situatën humanitare në Gaza, ku sipas Komitetit Olimpik Palestinez dhe Federatës Palestineze të Futbollit, midis tetorit 2023 dhe korrikut 2024 janë vrarë rreth 400 sportistë, përfshirë 245 futbollistë, 69 fëmijë dhe 176 të rinj. Ky event vjen pas një veprimi historik në maj, kur Spanja, Irlanda dhe Norvegjia njohën shtetin e Palestinës, duke hapur rrugën që edhe vende të tjera perëndimore të ndjekin këtë shembull.



Read it all at Bota Sot