Ish-sulmuesi i Barcelonës dhe një nga figurat më të njohura të futbollit botëror, Gary Lineker, ka dhënë një intervistë për gazetarin David Faitelson në programin ‘Faitelson sin censura’ të ‘TUDN Mexico’, ku ka reflektuar mbi legjendat e futbollit dhe kujtimet nga ‘Estadio Azteca’, skena e çerekfinales ikonike të Botërorit 1986 mes Argjentinës dhe Anglisë.
Lineker nuk kurseu fjalët kur u pyet për Lionel Messin, duke riafirmuar mendimin e tij se argjentinasi është lojtari më i madh i të gjitha kohërave.
“Është e pabesueshme ajo që këta të dy (Messi dhe Cristiano) kanë bërë për më shumë se njëzet vjet, bashkë me rivalitetin e tyre,” tha Lineker.
“Për mua, më i miri i të gjitha kohërave është Lionel Messi, ai ka fituar gjithçka, ka bërë gjithçka dhe në fushë bën gjëra të jashtëzakonshme. Por Cristiano është gjithashtu një lojtar i madh, një golashënues i jashtëzakonshëm.”
Ai komentoi edhe mbi ‘yllin’ aktual të gjeneratës së re, Erling Haaland.
“Haaland është një makinë golash,” u shpreh Lineker, duke shtuar se i vjen keq që norvegjezi nuk vendosi të natyralizohej me Anglinë.