Një situatë emergjente detyroi kanalin informativ francez BFMTV të ndërpresë transmetimin live të shtunën, pasi një kërcënim për bombë shkaktoi evakuimin e menjëhershëm të studios në Paris.
Sipas mediave franceze, rreth orës 14:27 një email kërcënues i dërguar përmes platformës zyrtare moncommissariat.fr njoftonte se në godinën e televizionit ishte vendosur një mjet shpërthyes.
Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, policia mbërriti në vendngjarje dhe kreu kontrolle të detajuara sigurie.
BFMTV e konfirmoi incidentin edhe në rrjetin X, duke bërë të ditur se programet e tyre, si edhe ato të kanaleve partnere RMC dhe BFM, do të pezulloheshin përkohësisht.
Gjatë ndërprerjes, në ekran u transmetuan vetëm materiale të regjistruara.
Pas rreth dy orësh verifikimesh, në orën 17:52 televizioni rifilloi transmetimin normal.
Autoritetet po hetojnë origjinën e kërcënimit dhe personin që dërgoi email-in alarmues.