Ish-kryeministrja e Islandës: Gjuha jonë mund të zhduket vetëm brenda një brezi

- Bota Sot

Ish-kryeministrja e Islandës: Gjuha jonë mund të zhduket vetëm brenda një brezi

Ish-kryeministrja islandeze Katrín Jakobsdóttir ka paralajmëruar se gjuha islandeze mund të zhduket brenda një brezi për shkak të rritjes të inteligjencës artificiale dhe dominimit në rritje i gjuhës angleze.

Jakobsdóttir, e cila dha dorëheqjen vitin e kaluar për të kandiduar për presidente, bëri këto parashikime shqetësuese përpara paraqitjes së saj në festivalin e letërsisë Iceland Noir në Reykjavík, raporton Guardian, përcjell KosovaPress.

Jakobsdóttir, e cila botoi romanin e saj të dytë kriminal në bashkëpunim me shkrimtarin Ragnar Jónasson, theksoi se Islanda po kalon ndryshime "radikale" gjuhësore. Gjithnjë e më shumë njerëz po lexojnë dhe flasin anglisht, ndërsa gjithnjë e më pak njerëz po lexojnë islandisht, një trend që ajo thotë se po përkeqëson më tej mënyrën se si trajnohen modelet gjuhësore të IA-së.

“Shumë gjuhë po vdesin, dhe bashkë me to shumë vlera dhe shumë mendim njerëzor po vdesin”, tha ajo. Islandishtja, një nga gjuhët që ndryshon më pak në botë, flitet vetëm nga rreth 350.000 njerëz. “Ne kemi këtë gjuhë që flitet nga kaq pak njerëz, dhe ndiej se kemi një përgjegjësi të madhe për ta ruajtur atë.”

Islanda po punon për ta bërë inteligjencën artificiale të përdorshme në islandisht. Unë personalisht nuk mendoj se po bëjmë mjaftueshëm për këtë”, tha ajo, duke shtuar se të rinjtë në Islandë janë “plotësisht të rrethuar nga materiale në anglisht, në mediat sociale dhe media të tjera”. Megjithatë, ajo vuri në dukje se Islanda ka qenë "mjaft proaktive" në përpjekjet e saj për ta bërë inteligjencën artificiale të përdorshme në gjuhën islandeze.

Gjatë mandatit të saj si kryeministre, tha Jakobsdóttir, qeveria pa kërcënimet dhe rreziqet e inteligjencës artificiale dhe rëndësinë e përdorimit të teksteve dhe librave islandezë për ta trajnuar atë.

Jakobsdóttir bëri një paralele me periudhën e sundimit danez mbi Islandën, e cila zgjati deri në vitin 1918, kur gjuha daneze pati një ndikim të fortë. Ndryshimet, paralajmëroi ajo, mund të ndodhin "shumë shpejt".

"Ndoshta tani kemi nevojë për një lëvizje më të fortë për të folur rreth arsyes pse duam ta ruajmë gjuhën? “Kjo është një gjë vërtet e madhe për të cilën duhet të flasim këtu në Islandë”, tha ajo, duke shtuar se “fati i një kombi” mund të vendoset nga mënyra se si e trajton gjuhën e tij.

Edhe pse inteligjenca artificiale ofron “mundësi të jashtëzakonshme”, ish-kryeministrja beson se ajo paraqet sfida të mëdha për autorët dhe industritë krijuese.

“Shpresoj që njerëzit ta përjetojnë këtë si diçka autentike dhe që vjen nga zemra”, tha ajo. Leximi dhe shkrimi kanë qenë gjithmonë terapeutikë për të. “Ke më shumë empati kur lexon për të tjerët, e kupton veten më mirë”, përfundoi Jakobsdóttir.



Read it all at Bota Sot