Irlanda ka bërë këtë javë një mrekulli, pasi një përfaqësuese e cila në dukje i kishte dhënë lamtumirën shpresave për të siguruar një vend në play-off të Botërorit nëpërmjet grupit kualifikues, ia ka dalë ta bëjë atë me dy ndeshje fantastike.
E para ishte një fitore 2-0 ndaj Portugalisë të enjten, ndërsa e dyta ishte suksesi i sotëm 3-2 ndaj Hungarisë në transfertë. Në këtë mënyrë, ajo ka rrëmbyer vendin e dytë në grup duke siguruar play-off nëpërmjet grupit kualifikues dhe duke larguar Hungarinë që dukej e sigurt në vazon e dytë.
Vendin e saj në vazon e dytë e ka marr pikërisht Irlanda, e cila me pikët e fituara ndaj Portugalisë dhe Hungarisë, ka ngjitur shkallë të rëndësishme në klasifikimin e FIFA-s. Kësisoj, në këto tre ditë ajo ia ka dalë që të kapërcejë me pikë Shqipërinë.
Kjo, e bën të detyrueshme një fitore ndaj Anglisë në “Air Albania”, për të përforcuar shanset e kuqezinjve për një vend në vazon e dytë të kualifikuesve të Botërorit, duke shpresuar që të mjaftojë që të kalojë përsëri Irlandën në klasifikimin e FIFA-s.
Përndryshe, do të duhet të mbahet shpresa te të gjithë skenarët e tjerë që çojnë drejt vazos së dytë, me Islandën, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë Hercegovinën dhe Kosovën që duhet të mbajnë pozicionet aktuale në grupet ku janë në fund të kualifikuesve.